E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orkestra e RTSH Simfoni skoceze në skenën e arteve

Stina Koncertore 2008- 2009 vijon për publikun shqiptar me një koncert simfonik, në datën 8 maj
Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike vijon të mbushë me tinguj klasikë skenën e Akademisë së Arteve. Në vijim të kësaj stine koncertore në datën 8 maj për publikun vjen koncerti i radhës, nën drejtimin e dirigjentit Alqi Lepuri Arti i Merituar. Për publikun në këtë mbrëmje koncertore do të vijë një repertor i zgjedhur, i cili është i ndërthurur me vepra të kompozitorëve më të njohur botërorë. Kompozitori Giovanni Bottesini vjen në këtë koncert me Grand Duo Concertante për violinë, kontrabas dhe Orkestër Harqesh. Por kësaj mbrëmjeje nuk do ti mungojë dhe krijimtaria e Felix Mendelssohn Bartholdy.Symphony No. 3 in A Minor, op. 56, e quajtur Simfonia Skoceze, me kohët:Andante con moto - Allegro un poco agitato,Vivace non troppo, Adagio,Allegro vivacissimo - Allegro maestoso assai do të vijë në skenën e arteve. Ky koncert nuk është i pari që pret të sjelli emocion në skenën e koncertit. Kështu kompozitorë të njohur me famë botërore kanë ardhur për disa koncerte me radhë në kuadër të këtij aktiviteti, i cili është bërë traditë tashmë në vendin tonë. Artistë të shumtë shqiptarë e të huaj janë angazhuar për t`i sjellë spektatorit shqiptar tinguj të magjishëm të muzikës klasike. Kështu, për disa mbrëmje me radhë, janë realizuar koncerte të cilat kanë pasur si protagoniste emra të njohur të muzikës e kompozicionit, jo vetëm shqiptar por edhe atij botëror. Në këtë koncert, i cili vjen nën dirigjimin e Alqi Lepurit (Artist i Merituar) do të interpretojnë emra të njohur të muzikës shqiptare si Lorenc Radovani (violinë); Arben Basha (kontrabas). Ndërkohë që repertori i këtij koncerti vjen në mbrëmjen e datës 8 maj në skenën e arteve për të sjellë një tjetër  mbrëmje koncertore, të këtij sezoni simfonik që ka startuar në kryeqytetin shqiptar. Ndërkohë që dirigjenti Alqi Lepuri, Artist i Merituar, ka lindur në 1954 dhe kontaktet e para me botën e muzikës i mori në vogëli përmes instrumentit të violinës. Në vitin 1973 kryen shkollën e mesme të kulturës në Tiranë, nën kujdesin e mjeshtrit Vangjo Nova. Kësaj periudhe i përkasin edhe fillimet e para në rolin e dirigjentit duke drejtuar koncerte me kor, orkestër simfonike dhe orkestër frymore. Gjatë viteve 1973-1977 kryen studimet e larta për dirigjim në Akademinë e Arteve në klasën e Prof. Rifat Teqes dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore me drejtimin e formacioneve të ndryshme orkestrale. Njëkohësisht ai ka qenë dirigjent i ftuar i Orkestrës Simfonike të RTSH-së, i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si dhe i të gjitha orkestrave e formacioneve të tjera kryesore muzikore shqiptare. Që nga viti 1992 e në vazhdim është pedagog dhe kryetar i seksionit të dirizhimit në Akademinë e Arteve dhe mban titullin Profesor. Për aktivitetin e tij artistik, dirigjenti Alqi Lepuri është nderuar me shumë çmime, tituj dhe medalje, ndër to urdhri Naim Frasheri i klasit III-të si dhe titullin e lartë Artist i Merituar.

Vepra të shkruara nga kompozitorët
 
Thoma Gaqi: Përfaqëson një gjeneratë të re të kompozitorëve shqiptare. Krijimet e tij karakterizohen nga racionaliteti dhe përmbajnë një mendim të fortë harmonik. Vepra e tij e parë ishte Borova poemsimfonik (1972), të cilën ai e paraqiti si punë diplome. Në vazhdim shkruan shumë muzikë instrumentale, simfonike, vokalo-simfonike dhe muzikë dhome. Mes të tjerash, ndër më të spikaturat janë: koncerti për violinë dhe orkestër; poemë-koncert për violinë dhe orkestër; rapsodi për orkestër; dubël-koncert për violinë cello dhe orkestër; tri valle simfonike; baladë për violinë dhe orkestër; koncert për orkëstër harqesh; uverturë për orkestër; simfonia nr. 1; suitë për piano; temë dhe variacione për piano; trio për violë, cello dhe piano; etj. Ai gjithashtu është edhe autor i tekstit të harmonisë (pjesa II-të) botuar në 1987- in. Në vitin 1984 Gaqi shkroi scherzo për orkestër, e cila u interpretua për herë të parë nga orkestra simfonike e Akademisë së Arteve nën drejtimin e mjeshtrit Rifat Teqja (1984). E bazuar në motivet e këngëve dhe valleve tona, vepra është shkruar në formën e sonatës me episod. Ajo ka ngjyrime të pasura ritmike dhe harmonike.  

 Giovanni Bottesini (1821-1889): Kompozitor, dirigjent,  kontrabasist virtuoz, i takon romanticizmit. Në SHBA punoi si kontrabasist në Operën e Havanës ku kompozoi operën e parë, Kristofor Kolombi. Quhej Paganini i kontrabasit. Punoi në Teatrin e Italianëve në Paris (1855-1857) këtë radhë si dirigjent. Këtu kompozoi edhe operën e dytë L'Assedio di Firenze. Shpesh luante në vendin e dirigjentit me bas gjatë interpretimit të operave ku shpaloste virtuozitetin e tij. Punoi në Palermo, Barcelonë, Angli ku kompozoi operën Ali Baba. U zgjodh nga Verdi për drejtimin e operës Aida në Kairo në 1871. Kompozoi opera, oratorio, kuartete, kuintete, koncerte dhe shumë pjesë për kontrabas dhe piano. Vdiq në Parma në 1889. Punët e tijmbeten baza e instrumentistëve të kontrabasit për ditët e sotme. Gran Duo Concertante në origjinal u shkrua për kontrabas dhe orkestër, pastaj u përpunua nga Camillo Sivori për bas dhe violinë. Egziston dhe një variant për bas dhe klarinetë.

 Felix Mendessohn Bartholdy (1809-1847): Kompozitor gjerman, dirigjent, organist, pianist i periudhës romantike. Tregoi interesim të madh për veprën e Bach dhe është një nga kryesorët që risolli në jetën muzikore veprën e tij. Themeloi Konservatorin e Leipzig-ut i cili u bë bastion i pikëpamjeve antiradikale muzikore të kohës. Ishte konservator në shije megjithëse bëri pjesë në kontemporanët aventurierë si List, Wagner dhe Berlioz. Veprat: simfoni, koncerte, oratorio, muzikë dhome, pjesë për piano etj. I famshëm është koncerti për violinë e orkestër në mi minor. Simfonia Nr.3 Op. 56 ne la minor (Simfonia Skoceze), u shkrua gjatë udhëtimit në Skoci në 1829. Ishte dedikim për mbretëreshënVictoria. U përpunua disa herë, dhe premiera u dha në 1842 në Leipzig.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›