Polici hero shpëtoi 3 të aksidentuarit në aksin Levan-Fier, Proda i akordon Certifikatën për Shërbime të Dalluara

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka akorduar Certifikatën për Shërbime të Dalluara inspektorit të Policisë Rrugore, Klajdi Mustaj, për veprimin e tij heroik në ndihmën e tre qytetarëve të plagosur pas një aksidenti në rrugën Levan-Fier.
Në një reagim zyrtar, Proda tha se veprimi i Mustajt është tregues i misionit të Policisë së Shtetit, teksa vlerësoi guximin dhe profesionalizimin e tij.
“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve”, tha Proda.
Në një akt heroik, polici Klajdi Mustaj i shpëtoi jetën 3 personave që mbetën të plagosur në aksidentin që u regjistrua ditën e djeshme (8 gusht) në aksin Levan-Fier, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës” ku një automjet tip “Benz” doli nga rruga dhe u përmbys, duke rrezikuar të shpërthente edhe në flakë. Mustaj bëri të mundur nxjerrjen e personave të plagosur nga automjeti me shpejtësi, duke i larguar në një zonë të sigurt. Personat e plagosur ndodhet në spital, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
/rtsh.al/