Noka padit Tahirin, Rama: Ministri, i denjë për aktor Portokallie
4 foto - Tahiri publikoi katër foto në të cilën jepej një takim i Nokës dhe Ristanit me shoferin e të dyshuarit për vrasje, Arben Frroku
Kupola - Disa muaj më parë u publikuan dhe disa foto Frrokut me kupolën drejtuese të policisë me të dyshuarin për vrasje të komisar Dritan Lamajt
300 ditë - Kreu i PS-së në shpalosjen e programit për Rendin e Sigurisë shpalli luftë të ashpër me krimin në 300 ditët e para të qeverisjes
1 polici - Kryesocialisti theksoi se do tu japim shqiptarëve vetëm një Polici Shteti, duke sulmuar kupolën e policisë në lidhje me krimin
Përplasjet - Këto foto pritet të jenë objekt i përplasjeve mes socialistëve dhe demokratëve në seancat e ardhshme parlamentare
Ministria reagon pas 24 orësh: Se ka takuar Gjonin, shpifje e opozitës
Zëdhënësi i ministrisë, Olli, bëri të ditur se Noka do të bëjë padi ndaj socialistit Tahiri
Tahiri, në reagimin e tij, e cilësoi ministrin si njeriun më të paaftë që ka pasur ministria
BLEDAR HOTI
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, nëpërmjet zëdhënësit të tij bëri të ditur se do të padisë për shpifje deputetin e PS-së, Sajmir Tahiri, për fotot e publikuara dy ditë më parë në rrjetin social Facebook. Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, deklaron me përgjegjësi të plotë individuale dhe institucionale se në fotot e bëra publike, asnjë nga personat prezentë në këtë takim, nuk kanë kurrfarë lidhjeje me individët e stisur nga shpifësi Tahiri, me të cilët kupola e krimit në Partinë Socialiste, ka pranuar publikisht se ka lidhje politike dhe biznesi. Ministri i Brendshëm i konsideron shpifje të tilla, si përpëlitje të pashpresa të njerëzve të botës së krimit, për të stisur tymnaja me qëllimin e vetëm, dëmtimin e hetimit dhe për të shpëtuar përballjen me drejtësinë, të ortakëve të tyre politikë dhe të biznesit. Ministri i Brendshëm shpreh bindjen e plotë se strategjia e shpifjeve, përbaltjes dhe denigrimit publik, është rezultat i panikut të plotë që ka përfshirë z. Rama dhe Rilindësit e tij, para humbjes së thellë që i pret më 23 qershor. Gjithashtu, ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka, do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesë padinë e tij, në Gjykatën e Rrethit gjyqësor, Tiranë ndaj shpifësit të pandreqshëm me pagesë, Saimir Tahiri, tha zëdhënësi i ministrisë, Leonard Olli.
Reagimi i Tahirit
Deputeti socialist, i cili dy ditë më parë publikoi foto të ministrit të Brendshëm në një lokal duke takuar Vlash Gjonin, shoferin e të dyshuarit për vrasjen e komisar Lamajt, Arben Frroku, reagoi ndaj qëndrimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme. Nul Moka më paska paditur? Dje u vranë 2 e u plagos 1, sot (dje) në 4 orë, u vranë 3, u plagos një 15 vjeçar e sapo u grabit me armë një biznes, e ky Nul Moka më padit mua?! 5 të vrarë e 2 të plagosur në 24 orë, dhe ky ka kohë të merret me paditë ndaj meje?
Nuk e ka fajin Nul Moka…Nuk i flitet çirakut para të zotit….
Terror në rrugë, armë, vrasje, plagosje, grabitje, trafiqe, aksidente, vjedhje…kjo është siguria në vendin tonë sot. Dhe ky vend është më i pasigurt se kurrë, pikërisht pse qeveriset nga të paaftë, militantë kokëboshë e amatorë, por mbi të gjitha, nga njerëz që këtë vend nuk e duan të qetë, nuk e duan të sigurt, siç nuk duan qytetarë të lirë, të lirë nga varfëria, nga papunësia, nga korrupsioni, nga krimi. Qytetarë të lirë nga pushteti. Vazhdoni merruni me ne, me padi ndaj deputetëve të opozitës. Ne do merremi me qytetarët, për t’ua bërë jetën më të sigurt dhe më të mirë, shkruan Tahiri në Facebook.
Rama reagon për rendin
PS, dje pasdite ka organizuar takimin elektoral për çështjen e sigurisë dhe rendin. Në këtë takim kryesocialisti ka shënjestruar ministrin e Brendshëm, Flamur Noka. Policia e Shtetit sot është braktisur, është tradhtuar, është lënë në mëshirë të fatit. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes kupolës së Ministrisë së Brendshme dhe botës së krimit. Është një lidhje ku kalojnë rrugët e korrupsionit, rrugët e kontrabandës, rrugët e favoreve reciproke që shkëmbejnë mes njëra-tjetrës kupola e Ministrisë së Brendshme dhe bota e krimit. Ne do ti mbyllim këto rrugë. Ne do ti japim Ministrisë së Brendshme dinjitetin e humbur prej vitesh, por tanimë të nëpërkëmbur në mënyrën më të papërballueshme nga qenia në krye të vetë e një personazhi që gabimisht gjendet në zyrën e ministrit të Brendshëm, sepse duhet të ishte në skenën Portokallisë. Besoj që me gjithë nivelin e lartë që ka arritur Portokallia nuk gjendet në Shqipëri një aktor që të mund të jetë në lartësinë e ministrit të Brendshëm për të bërë të gajaset populli shqiptar, tha Rama në fjalën e tij. Më tej kryesocialisti theksoi se Ne kemi një qasje tjetër dhe kjo është një nga reformat më radikale që ne do të bëjmë pas 23 qershorit. Ne do të kemi vetëm Policinë e Shtetit, që do të ngarkohet vetëm për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe pasurinë kombëtare, publike apo private të shqiptarëve.
Noka padit Tahirin, Rama: Ministri, i denjë për aktor Portokallie burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email