E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: 4 demonstruesit e 21 janarit janë vrarë

Dashamir Biçaku

Katër demonstruesit e vrarë përpara kryeministrisë nga Garda e Republikës janë përfshirë në analizën vjetore të policisë së Tiranës si vrasje. Deri më tani policia nuk i kishte vënë asnjë emër asaj që ndodhi pasditen e 21 janarit, kur mijëra qytetarë dolën në bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të protestuar kundër qeverisë. Renditja e katër viktimave të 21 janarit në listën e personave të vrarë në ngjarje kriminale, është bërë duke ndryshuar statistikën e analizës së dhjetëmujorit të kryer në fillim të muajit nëntor nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Lajmi u bë i ditur për Shekullin, nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilët thanë se në analizën e kryer në muajin nëntor për 10 muajt e parë të vitit, katër personat nuk ishin përfshirë në statistikat zyrtare të Policisë.

Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, dhe Faik Myrtaj, u vranë me armë zjarri me plumb në kokë dhe në zemër ndërsa ishin jashtë rrethimit të jashtëm me kangjella të kryeministrisë. Burime të policisë thanë se pas konsultimeve me krerët e Policisë së Shtetit, është arritur në përfundimin se vdekja e tyre të klasifikohet në rubrikën e vrasjeve nga policia e Tiranës. Krerë të Policisë së Tiranës, thanë se pavarësisht se hetimi dhe veprimet e tjera procedurale, nuk janë kryer nga hetuesit e policisë së Tiranës, duke qenë se kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e kryeqytetit, ajo është renditur në rubrikën e vrasjeve. Ndërkaq policia tha se nuk ka bërë cilësim të rrethanave dhe shkaqeve, nëse ajo ishte vrasje me dashje, nga pakujdesia apo aksidentale.

Sipas renditjes së kryer nga Drejtori i Policisë së Tiranës, në kryeqytet ka pasur 24 vrasje. Në total në kryeqytet kanë ndodhur 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227, ose 83.8% e tyre. Sipas kreut të Policisë, Sajmir Muçaj, në krahasim me vitin 2010, është vënë re një rritje e krimeve në Tiranë me 1274 raste më shumë. Më tej Muçaj, evidentoi edhe faktin se ka pasur po ashtu rritje të fuqisë zbuluese me 2.8%. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lirë.

Sa i përket krimeve të rënda janë shënuar 290 të tilla, janë zbuluar 212 ose 73.1% e tyre, ku janë proceduar gjithsej 279 autorë, nga të cilët, 176 arrestuar e ndaluar. Në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar evidentohen 65 vepra penale më shumë, ndërkohë që fuqia zbuluese është rritur me 2 %.

Vjedhjet

Drejtori i Policisë së Tiranës evidentoi dje si fenomen shqetësues vjedhjen e automjeteve. Sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, problem shqetësues mbetet fenomeni i krimit ndaj pronës në tërësi. Muçaj tha se ky fenomen kriminal është goditur, por sipas tij vihet re se fenomeni i vjedhjes së automjeteve mbetet gjithashtu shqetësues.

Burgaj: Do ndryshojmë strukturën

Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj tha dje gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, se duheshin përshtatur mirë patrullimet dhe kontrolli i territorit. Sipas tij, duhej planifikuar mirë ky fakt duke qenë se sipas tij ishte mbyllur cikli i rimarrjeve të oficerëve të policisë, të cilët kishin mbetur për arsye të ndryshme jashtë policisë. Sipas Burgajt, në këtë kuadër pritet të kryhet edhe ristrukturimi i Policisë së Shtetit. Sipas burimeve në këtë rast parashikohet ulja e organikës qendrore të saj dhe shtimi në bazë.

Krimet Kundër Personit

Vrasje me dashje, 24, zbuluar 21 ose 87.5 %, evidentohet 1 vrasje më shumë se në vitin 2010. Forca zbuluese është rritur me 13.5.%.

Vrasje te mbetur ne tentative, evidentuar 30 zbuluar 26 ose 86.6%, ne krahasim me vitin 2010, evidentohen 6 raste me pak.

Vrasje nga pakujdesia, evidentuar 2, zbuluar 2 ose 100%,

Plagosje e rëndë, evidentuar 36, zbuluar 34 ose 94.4%, forca zbuluese është rritur me 3%.

Rrëmbim personi, evidentuar 1, zbuluar 1 ose 100%,

Të tjera, evidentuar 48 zbuluar 42 ose 87.5%,

Vjedhje me dhunë dhe armë

Evidentuar 140 vepra penale, zbuluar 79 ose 56.4%, janë proceduar 87 autorë.

Vjedhje me armë, ndodhur 37, zbuluar 29 ose 72.9%, në krahasim me vitin 2010 evidentohen 22 vepra me shumë. Forca zbuluese është rritur 31% më shumë.

Vjedhje dhunë, ndodhur 48, zbuluar 17 ose 35.4 %, në krahasim me vitin 2010 evidentohen 15 vepra me pak. Forca zbuluese është e njëjtë.

Vjedhje me armë, pasojë vdekje, ndodhur 1, zbuluar 1 ose 100%. Vitin e kaluar ka ndodhur 1 vepër e cila nuk është zbuluar.

Të tjerat ndodhur 54, zbuluar 35 ose 65% e tyre

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›