E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Bashkiake e Tiranës pajiset me teknologji të avancuara nga SHBA për sigurinë publike

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Në ambientet e Policisë Bashkiake të Tiranës u zhvillua një takim prezantues ndërmjet drejtuesve të Policisë Bashkiake dhe ekspertëve të kompanisë amerikane “AXON”, në praninë e zëvendësshefes në detyrë të misionit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Kathryn Hammond.

Gjatë takimit u prezantuan teknologjitë më të avancuara të përdorura në fushën e sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit, si dhe u ndanë eksperienca dhe praktika më të mira të aplikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të ndryshme të Evropës.

Në vijim, u realizuan demonstrime praktike të pajisjeve moderne, përfshirë kamerat trupore (Body-Worn Cameras), pajisjen elektronike Taser, si dhe pajisje të tjera të teknologjisë së avancuar në fushën e sigurisë.

Në prezantim morën pjesë punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët u njohën nga afër me funksionalitetet dhe përfitimet që ofrojnë këto teknologji në rritjen e transparencës, sigurisë dhe efikasitetit gjatë ushtrimit të detyrës.

Policia Bashkiake, si strukturë në varësi të bashkisë Tiranë, vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shpreh mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë në funksion të modernizimit të kapaciteteve institucionale, rritjes së standardeve të sigurisë dhe ofrimit të një shërbimi sa më cilësor për qytetarët.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›