Policia Kufitare i vjen në ndihmë një turisti të mitur të dëmtuar në Gjirin e Gramës

Një aksion i shpejtë i Policisë Kufitare të Dhërmiut, në bashkëpunim me ekipin e urgjencës mjekësore, i ka ardhur në ndihmë një shtetasi të huaj të mitur i cili ishte dëmtuar në Gjirin e Gramës. 12-vjeçari pësoi lëndime në kokë pasi u hodh nga një shkëmb në det dhe kërkoi ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare transportuan me mjet lundrues ekipin mjekësor drejt vendit të ngjarjes. Atje, të miturit iu dha ndihma e parë mjekësore. Pas ndihmës së shpejtë, fëmija, i shoqëruar nga prindërit e tij, u dërgua në spital për trajtim të mëtejshëm. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Apel për kujdes në plazhet e izoluara
Në lidhje me këtë ngjarje, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Vlorë ka lëshuar një apel për pushuesit. Drejtoria u bën thirrje qytetarëve që frekuentojnë plazhet e thella dhe të izoluara të jugut, si Gjiri i Gramës, të tregojnë kujdes të shtuar. Këto zona janë kryesisht të aksesueshme vetëm me mjete lundruese dhe jo gjithmonë kanë mbulim të rrjetit celular, gjë që mund ta vonojë ndjeshëm ndërhyrjen në raste urgjence.
Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe për të ofruar ndihmë në çdo situatë emergjente, por njëkohësisht rekomandon që të shmangen veprimet e rrezikshme dhe të merren masa paraprake për sigurinë personale.
/rtsh.al/