E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Rrugore e Vlorës 3459 masa administrative në një javë, gjashtë drejtues mjetesh në pranga

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Policia Rrugore e Vlorës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe automjete inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë fluksit të shtuar të automjeteve.

Sipas Policisë, kontrollet janë përqendruar te drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë nën efektin e alkoolit, drejtojnë pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar ose kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që shpesh bëhen shkak për aksidente rrugore.

Gjatë periudhës 25–31 korrik 2026, si rezultat i kontrolleve, janë arrestuar 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”.

Po gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 3459 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Konkretisht, 1250 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë, 320 për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, 99 për parakalime të gabuara, 80 për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 63 për xhama të zinj, 61 për mosdhënie përparësie këmbësorëve, 32 për pozicionim të gabuar të mjetit, 30 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu, janë vendosur edhe 1495 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve.

Njëkohësisht, Policia apelon ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›