Policia Rrugore, struktura e re "dyfishon" viktimat

Analiza e korrikut e Policisë Rrugore, zbulon se në vend aksidentet kanë vrarë dy herë më shumë se në '08 dhe '09
Kryepolici Burgaj kërkon me insistim uljen e numrit të aksidenteve vartësve të tij të qarkullimit
TIRANE- Struktura e re e Policisë Rrugore, duket se nuk ka qenë aq e efektshme në rrugët e vendit sa i përket parandalimit të aksidenteve dhe zvogëlimit të jetëve të humbura në rrugët e Shqipërisë.
Madje krahasuar vetëm me peridhën korrik të vitit 2008 dhe 2010, aksidentet e shifrat e të vdekurve janë gati dy herë më tepër krahasuar me këto vite. Një fakt i tillë është konstuar gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Policisë Rrugore zhvilluar në Policinë e Shtetit, me drejtuesit e strukturave përkatëse.
Ndërkaq, shtimi i aksidenteve, është argumentuar nga drejtuesit e strukturës së re, me shtimin e numrit të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit, duke arritur sipas tyre një numër prej më tepër 12 mijë mjetesh. Një statistikë e tillë, duket se nuk i ka pëlqyer aspak Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Dje ai ka mbledhur shefat e njësive të Policisë Rrugore në Qarqe, si dhe drejtuesit e strukturës përkatëse në qendër, duke iu kërkuar "llogari" në një analizë të hollësishme për atë që duket se është situate e një bilanci të krijuar nga një situatë lufte dhe jo nga aksidentet rrugore.
Analiza e ditës së djeshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kishte qëllim vëzhgimin e rezultateve të punës së strukturës së re të krijuar rishtazi në vend. Nga të dhënat e ofruara zyrtarisht nga policia në të gjithë vendin ka pasur 151 aksidente të ndryshme rrugore, me pasoja.
Nga këto aksidente kanë humbur jetën 51 persona, ndërsa janë plagosur thuajse tri herë më tepër. Në të kundërt, në shifrat e aksidenteve të vitit të kaluar, korriku ka pasur 100 aksidente të rënda me pasoja, pra 50 më pak se viti aktual.
Ndërkaq, kjo shifër e krahasuar me vitin 2008 është akoma më e lartë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2009, kishin humbur jetën 25 persona dhe kjo shifër në atë kohë ishte krahasuar me një bilanc lufte.
Zëdhënësja e Policisë tha se gjatë muajit korrik të vitit 2009, shifrat e penalizimeve të dhëna nga njësitë e policisë së qarkullimit rrugor në të gjithë vendin duket se janë tri ose katër herë më të larta se vitet e kaluara. Pavarësisht kësaj, shifrat e aksidenteve dhe ato me vdekje, duket se janë disa herë më të larta.
Aksidenti më i rëndë i këtij viti, ai i Pukës, i ndodhur në mesin e muajit korrik, ishte më i rëndi për këtë vit në vend, duke shkaktuar 15 të vdekur. Burgaj pas analizës, ka kërkuar uljen në mënyrë drastike të aksidenteve dhe në mënyrë të veçantë të atyre me vdekje