Policia: Tentativa për të bllokuar rrugën në Përmet dhe Sarandë
Policia e Shtetit edhe ditën e djeshme raportoi se ka pasur dy tentativa për të bllokuar akset rrugore nga ana e simpatizantëve të Partisë Socialiste. Një numër i kufizuar i qytetarëve kanë tentuar të bllokojnë akset rrugore gjatë tubimeve të zhvilluara në Përmet dhe tek Ura e Gajdarit në Sarandë. Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në të dyja këto raste, ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme, deklaroi Policia e Shtetit me anë të një njoftimi për shtyp. Në fund të njoftimit, policia bën të ditur se në sajë të masave të marra nga strukturat e policisë, gjatë zhvillimit të këtyre tubimeve nuk u evidentuan probleme apo konfrontime dhe u garantua qarkullimi normal i automjeteve.