Policia-VV: Ne jemi gati, nuk do të ketë barrikada

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për protestën e nesërme të paralajmëruar nga Vetëvendosja, duke hartuar urdhrin operativ të quajtur “ Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.
“Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është Siguria e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Mbajtja e Rendit dhe Sigurisë Publike dhe Zbatueshmërinë e ligjit. Shtimin e masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj. Fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut me qëllim të qarkullimit të lirë në rrugë si dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare etj”, thuhet në komunikatën e policisë. Më tej sqarohet se nuk do të lejohet asnjë bllokim i rrugëve.
“Me qellim të ruajtjes së rëndit dhe qetësisë publike, Policisë së Kosovës në bazë të vlerësimeve nga aspekti i sigurisë, ligjërisht i lejohet dhe do të ndalojë të gjithë ata qytetarë që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që përmes veprimeve të tyre ta cenojnë sigurinë e vendit si dhe të Prishin Rendin dhe Qetësinë Publike”, thuhet ndër të tjera në njoftim.