E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia aksion per te liruar Bllokun nga tryezat dhe karriget e lokaleve

Në mungesë të një zgjidhjeje nga Policia Bashkiake, Policia e kryeqytetit ka nisur një aksion për lirimin e rrugëve nga tryezat e lokaleve në zonën e ish Bllokut në Tiranë.

Shërbimet e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës, kanë nisur operacionin në orën 22:00 të mbrëmjes së të premtes deri në mesnatë duke u gdhirë dita e shtunë.

Baza ligjore është gjetur në nenin i cili ndalon bllokimin e mjeteve të transportit.

Janë 8 subjekte, lokale në zonën e bllokut për të cilët janë mbajtur dhe procesverbalet e konstatimit të bllokimit të rrugëve me tavolina dhe karrige, si dhe janë dërguar për procedim penal në gjëndje të lirë 8 personat përgjegjës të tyre.

Bllokimet e rrugës fillonin që në trotuar për t’i shfrytëzuar për klientelën deri në rrugë, ku pa asnjë autorizim përkatës bllokonim parkimet apo lëvizjen e automjeteve.

Burimet e policisë thanë se në këtë operacion nuk ka patur bashkëpunim me policinë bashkiake, e cila duket se nuk ka interes për zhbllokimin e trotuareve dhe rrugëve ndonëse është pjesë e juridiksionit të saj.

Vendosja e tryezave e karrigeve të lokaleve ka sjellë shqetësime për qytetarët pasi u pengon lëvizjen në trotuare dhe deri në asfaltin e rrugës duke i vënë në rrezik ndaj aksidenteve.

Të njëjtat burime thanë se lokalet e zonës së Bllokut sikundër dhe lokalet në zona të tjera ku luhet muzikë në orët e vona të natës do të jenë objekt i kontrolleve dhe e ndërhyrjeve të policisë sa herë do ketë denoncime për zhurmat shqetësuese që vijnë prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›