E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, KQZ nis rinumërimin, Basha kryeson me 83 vota

TIRANE-  KQZ miratoi me 4 vota pro dhe 2 kundër aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në 365 qendrat e votimit të bashkisë Tiranë. Kryetari i KQZ-së Arben Ristani deklaroi se rinumërimi do të bëhet nga 8 grupe numërimi. KQZ nisi rreth orës 17:33 rinumërimin e votave të hedhura gabim. PD-PS kanë vëzhgues në procesin e numërimit.  Nga numërimi i sotëm Basha ka marrë 28 vota, Rama 26. Kontestime gjatë rinumërimit për mospërputhjen e kodeve të hapjes dhe mbylljes së disa kutive.

MBYLLET PROCESI I NUMËRIMIT, BASHA 83 VOTA PARA
Ora 22:36- Ka zgjatur për rreth 7 orë procesi i rinumërimit të votave të njësisë bashkiake nr. 1 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nga i cili kryeson kandidati i PD-së Lulzim Basha me 83 vota. KQZ ka shtyrë për ditën e nesëme procesin e numërimit, duke e vulosur rezultatin për sot me 28 vota për Bashën dhe 26 për Ramën. Pritet që KQZ të rinisë numërimin nesër rreth orës 10:00, me kutitë e njësisë bashkiake nr. 2.

BASHA MERR EDHE 2 VOTA
Ora 22:15- Ndryshon sërish rezultati nga numërimi i votave në KQZ. Aktualisht kandidati i PD-së Lulzim Basha ka marrë edhe 2 vota më shumë duke shkuar në 27 vota, aq sa ka edhe Rama. Përsëri Basha kryeson me 81 vota para.

BASHA MERR EDHE 3 VOTA, RAMA 5
Ora 22:08- Ndryshon sërish rezultati nga numërimi i votave në KQZ. Aktualisht kandidati i PD-së Lulzim Basha ka marrë edhe 3 vota më shumë, ndërsa Edi Rama i PS-së ka marrë 5 vota më shumë. Basha ka marrë deri tani 25 vota, ndërsa Rama 27, por në total kryeson Basha me 79 vota.

NUMËROHET KUTIA 16/99, BASHA 1 VOTË, RAMA 2
Ora 21:44- Është numëruar edhe një tjetër kuti nga grupet e numërimit të ngritura pranë KQZ-së. Nga numërimi i kutisë 16/99 rezulton se Rama ka marrë dy vota të tjra, ndërsa Basha 1, duke e barazuar sërish rezultatin mes tyre.

VAZHDON NUMËRIMI, RAMA 3 VOTA, BASHA 4
Ora 21:34- Me numërimin e një tjetër kutie kandidati i PS-së Edi Rama ka grumbulluar në total 20 vota, kundrejt 21 të kandidatit të djathtë Lulzim Basha. Kështu kandidati i PD-së kryeson me 82 vota.

HAPET KUTIA 16/82, RAMA 7 VOTA, BASHA 3
Ora 21:00- Ka përfunduar rinumërimi i votave në kutinë 16/82, ku rezulton të ketë pasur më shumë vota për kandidatin Edi Rama. Rama ka marrë 7 vota, ndërsa Basha 3. Kështu në total të dy kandidatët kanë marrë nga 17 vota secili për rinumërimin e sotëm, por në avantazh vazhdon të jetë Basha me 81 vota.

BASHA MERR EDHE 1 VOTË, RAMA 3
Ora 20:45- Kur po mbyllet edhe ora e 4-t që nga casti kur nisi rinumërimi i votave të hedhura në kutitë e gabura, rezulton se diferenca mes kandidatit Basha është 86 vota plus, kundrejt Ramës. Sipas të dhënave të fundit që vijnë nga numërimi në KQZ, Basha ka marrë deri në këto momente 14 vota, pra 1 më shumë, ndërsa Rama që kishte 7 e con në 10 numrin e votave.

VAZHDON NUMËRIMI, BASHA 1 VOTË, RAMA 1
Ora 20:23- Pas pushmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinisur përsëri numërimin e votave të hedhura gabim. Me numërimin e një tjetër kutie votimi, rezultatit final për kryetar Bashkie i shtohet një votë për Bashën dhe një për Ramën. Kështu kandidati Basha ka marrë gjithsej 13 vota, ndërsa kandidati Rama ka marrë 7 vota.

DIFERENCA MES KANDIDATËVE BASHA 12, RAMA 6
Ora 19:39- Gazetari i NEWS24 Erjon Skëndaj deklaron se rezultati i numërimit ka ndryshuar në minutat e fundit, ku rezulton se Basha ka në total 12 vota të marrë nga ky rinumërim, ndërsa Rama ka 6 vota.

NDËRPRITET PROCESI I NUMËRIMIT
19:35- Pas numërimit për rreth 2 orë në KQZ të 8-të grupet e numërimit kanë marrë 15 minuta pushim.

HAPET KUTIA 16/89, BASHA 2 VOTA, RAMA 1
Ora 19:23- Nga hapja e kutisë 16/98 është gjetur 1 fletë votimi për kandidatin Edi Rama dhe dy të tilla për kandidatin Lulzim Basha të cilat do t’i shtohen rezultatit final në tabelën përmbledhëse.

REPLIKA SUBASHI-RISTANI PËR KODET
Ora 18:51- Shoqërohet me debate procesi i rinumërimit të votave të hedhura gabim. Anëtarët e KQZ-së po debatojnë në lidhje me kodin e disa kutive, ku ka parregullsi të shifrave të tyre. Dy prej kutive me probleme në kod janë 16/99/2 dhe 16/85.
Kryetari Ristani deklaron se këto kode “ U ballafaquan me procesverbalet e kutisë dhe janë të rregullta. Është thjesht gabim material.”
Në replikë, Subashi kërkoi që të bëhet hetim administrativ tërësor për këto kuti votimi. “Nuk është gabim material që është shënuar një kod dy herë”, tha ajo.
Pas saj kryetari i KQZ-së Arben Ristani u shpreh, “Ju keni logjikën tuaj të gabimit, mbani shënime dhe bëni ankime ku duhet. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genci Gjoncaj u shpreh se “Kodet janë ndryshuar rrugës dhe kjo rezulton se edhe rezultati është ndryshuar rrugës”.

KUTIA 16/86 BASHA 1 VOTË
Ora 18:14- Vazhdon rinumërimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Me hapjen e kutisë 16/86 është gjetur 1 votë e hedhur gabim për kandidatin Basha.

KUTIA 16/89/1, RAMA 1 VOTË
Ora 18:14- Vazhdon rinumërimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Me hapjen e kutisë 16/89/1 është gjetur 1 votë e hedhur gabim për kandidatin Rama.

KUTIA 17/04, BASHA 2 VOTA, RAMA 1
Ora 18:10- Vazhdon rinumërimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Me hapjen e kutisë 17/04 janë gjetur dy vota të hedhura gabim për kandidatin Lulzim Basha dhe një për kandidatin Edi Rama.

NUMËROHET KUTIA 16/99/2, BASHA MERR 2 VOTA
Ora 18:05- Probleme në tavolinën numër 1, gjenden dy fletë që nuk i përkasin kutisë 16/99/2 jashtë zarfave. Të dyja votat i përkisnin kandidatit Lulzim Basha.

HAPET KUTIA 16/96, 1 FLETË PËR BASHËN
Ora 17:51- Ka pasur kontestime nga numëruesit e majtë për kutinë me numër 16/96 pasi aty janë gjetur 4 fletë votimi jashtë zarfit, të cilat nuk i përkasin kësaj kutie. Një fletë votimi e gjetur jjashtë zarfit i përket kandidatit Lulzim Basha.Ka pasur edhe kuti brenda të cilave nuk janë gjetur fletë të hedhura gabim.

NUMËROHET KUTIA E PARË
17:41- Është numëruar kutia me nr. 16/88 e cila i përket KZAZ nr. 45. Tek kjo kuti është gjetur 1 fletëvotimi për këshill bashkiak dhe ajo i përket kandidatit të PS.

NIS ME KONTESTIME RINUMËRIMI
17:35- Ka nisur me kontestime numërimi i votave të hedhura gabim. Në tavolinën nr.2 numëruesit kanë kontestuar hapjen e një kutie, pasi sipas tyre ajo kishte probleme me kodin. Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi ka kërkuar që ajo të shqyrtohet më vonë me qetësi. Kryetari Ristani aprovon.

RINIS MBLEDHJA E KQZ-së
Ora 17:27- Ka rinisur rreth orës 17:20 mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pritet të rinisë edhe numërimi për kutitë e 368 qebdrave të votimit.
Mësohet se do numërohen fillimisht kutitë e njësisë bashkiake nr.1 që i përket KZAZ nr.45.

KQZ MIRATON AKTIN PËR RINUMËRIMIN E KUTIVE
Ora 14:04- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në tërësi me 4 vota pro dhe 2 kundër aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në 365 qendrat e votimit të bashkisë Tiranë. Vendimarrja e sotme ne KQZ pasoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor ne 13 qershor pas ankimimit te PS.
Akti u miratua fillimisht në parim, më pas u miratua pikë për pikë. Kryetari i KQZ Arben Ristani deklaroi se rinumërimi do të bëhet nga 8 grupe numërimi dhe do të nisë sot në orën 17:00.

Sipas këtij vendimi, KQZ për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësise Bashkiake, do të ngrejë tetë grupe numërimi në ndihmë të Komisionit.

Nga 1940 kuti të procesit zgjedhor për Tiranën janë 1793 kuti që do të hapen për të rinumëruar fletët e kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Rinumërimi do të nisë me kutitë e njësisë bashkiake nr 1 ose KZAZ 45 për të vijuar më pas me kutitë e KZAZ-ve të tjera sipas rendit rritës.

Procesi i numërimit do të kryhet në sallën kryesore të KQZ, aty ku zhvillohen dhe mbledhjet e ketij institucioni. Secili grup i numërimit do të jetë nga dy anëtarë që i përkasin administratës së KQZ- së dhe do të hapë katër kutitë e të njëjtës qendër votimi. Votat e gjetura në kutinë e gabuar do të kërkohen në zarfin e fletëve të kontestuara në secilën kuti, do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit, dhe para se të tabulohen do t'i njoftohen KQZ-së, për t'i pasqyruar në tabelë.

Akti parashikon që pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues, i cili në rast se vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive ia bën prezente KQZ-së.
Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e bashkisë Tiranë, këshillin e bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, KQZ do të miratojë tabelën përfundimtare dhe mbi bazën e tyre do të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë.

Por, beteja nuk pritet të mbyllet gjithsesi me përfundimin e rinumërimit.PS-ja ose PD-ja mund të ankohen sërish në Kolegjin Zgjedhor, pas përfundimit të procesit të numërimit nga KQZ-ja të votave të kontestuara në Tiranë. Ligji u njeh palëve të kërkojnë përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë, gjë që mund të shtyjë sërish përcaktimin e fituesit për këtë

PS: JO GRUPEVE TË NUMËRIMIT, KUTITË T'I HAPË KQZ
Ora 11:00 Mbledhja e KQZ nisi me diskutimin nen për nen të pr/ aktit. Pika 2 ka të bëjë me ngritjen e grupeve të numërimit të fletëve të hedhura gabim në kutitë e gabuara, procesin e hapjes së kutive, numërimit dhe tabulimi i tyre në tabelat e rezultateve. Në përgjigje të përfaqësuesit të PS-se, Genc Gjoncaj, kreu i KQZ-së Arben Ristani sqaroi se do të ngrihen 8 grupe numërimi për numërimin e të gjitha kutive të pahapura. "Janë rreth 1800 kuti që do të hapen, numërimi i të cilave nuk mund të bëhen vetëm nga 7 anëtarët prandaj është parashikuar ngritja e 8 grupeve të numërimit."- tha Ristani.

Kreu i KQZ-se sqaroi procedurën si do veprohet. Sipas Ristanit "Do të jenë grupet e numërimit që do hapin kutitë do nxjerrin fletët dhe do bëjnë tabulimin në tabelat përkatëse. Sa i përket saktësimit të veprimeve në tabelat përkatëse do të jenë vëzhguesit e partive dhe anëtarët e KQZ që do të bëjnë verifikimin."

Nënkryetarja e KQZ-së, Deshira Subashi kundërshtoi ngritjen e grupeve të numërimit. Sipas saj hapja e kutive duhet të bëhet në sy të anëtarëve të KQZ, sic u operua me hapjen e 117 kutive të para me fletët e kontestuara.
 
“Në këtë mënyrë i takon që të tjerët të jenë vëzhguesit e fletëve të votimit, ndërsa ne të bëjmë miratimin e atyre që ne nuk kemi parë me sy”- deklaroi Deshira Subashi. “Fleta e votimit të mos velerësohen nga administrata por nga anëtarët e KQZ... fletët
duhet të vijnë në tavolinën tonë të vlerësohet. Jemi në një proces ankimor.. dhe jemi ne që do bëjmë vlerësimin e fletëve.. kjo nuk ha kohë aq të gjatë sa thuhet”

Edhe përfaqësuesi ligjor i PS kundërshtoi ngritjen e grupeve të numërimit. "Ne nuk kemi besim te KQZ, jo më të kemi besim ti hapë dhe ti numërojë votat administrata e KQZ"- tha përfaqësuesi socialist. Ndërsa përfaqësuesit ligjor të PD janë dakord me ngritjen e grupeve të numërimit.
Mbledhja u ndërpre në orën 12:00 dhe do vazhdojë në orën 13:00.
(s.g/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›