Policia e Gjirokastrës bën bilancin e fundvitit, 478 vepra penale të evidentuara

Numri i veprave penale të evidentuara gjatë këtij viti në Qarkun e Gjirokastrës, është rritur, ndërsa forca zbuluese ka qenë në nivelet e një viti më parë. Ky fakt u bë i ditur gjatë analizës së punës vjetore të zhvilluar sot në Drejtorinë Rajonale të Policisë të Qarkut të Gjirokastrës.
Sipas zëdhënësit të kësaj drejtorie, Gentian Mullai, rritja e numrit të veprave penale është rrjedhojë e "rritjes së forcës evidentuese dhe besimit të komunitetit tek policia".
Gjatë analizës u tha se nga janari deri në dhjetor të këtij viti, në rajonin e Gjirokastrës kanë ndodhur 478 vepra penale, nga të cilat 141 vlerësohen si krime të rënda. Sipas zëdhënësit Mullai, nga këto vepra penale janë zbuluar 409, dhe forca zbuluese ka qenë 85.6 për qind. Vitin e kaluar u evidentuan 375 vepra penale dhe u zbuluan 322, ndërsa forca zbuluese ishte e njëjtë, 85.6 për qind.
"Kjo rritje shpjeohet me faktin se është rritur forca evidentuese dhe goditëse, si dhe besimi i komunitetit, duke bërë që shumë vepra të evidentohen përmes telefonimeve të kryera nga qytetarët", theksoi zëdhënësi.
Sipas analizës, në këto vepra penale janë implikuar 485 njerëz, nga të cilët 163 janë arrestuar në flagrancë, 15 janë shpallur në kërkim, 297 ndiqen në gjendje të lirë dhe 4 kanë vdekur.