E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit shtojnë numrin e emigrantëve që vijnë nga Greqia

Në doganën e Kapshticës (Devoll) janë shtuar lëvizjet ndërkufitare pasi një pjesë e emigrantëve të punësuar në vendin fqinj vazhdojnë traditën e kthimit për festat e fundvitit pranë familjeve të tyre.
Afrimi i Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri ka filluar të ndjehet prej disa ditësh në Kapshticë, ku numri i njerëzve që hyjnë nga Greqia javën e fundit ka arritur mesatarisht 1 000 në 24 orë, kryesisht emigrantë që udhëtojnë me autoveturat e tyre apo me autobuzë të linjave Athinë-Korçë dhe Selanik-Korçë.
Drejtori i Drejtorisë së kufirit për rajonin e Korçës, Eduard Caka, tha se numri i emigrantëve nga Greqia po vjen vazhdimisht duke u rritur, ndërsa fluksi më i madh pritet një ditë para Krishtlindjes. Sipas tij, gjatë 24 orëve të fundit në doganën e Kapshticës kanë hyrë nga Greqia 1 800 udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë, dhe më shumë se 500 automjete. Burime të Policisë kufitare në Kapshticë bëjnë të ditur se afrimi i festave të fundvitit shton edhe lëvizjet në drejtim të shtetit fqinj dhe se mbi 1 000 udhëtarë, me afro 400 automjete kanë dalë në drejtim të Greqisë gjatë 24 orëve të fundit.
Me shtimin e lëvizjes së udhëtarëve, në doganën e Kapshticës janë shtuar dhe masat për të siguruar një gjendje normale në lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve dhe janë vënë në funksionimin të paktën tre sportele për kryerjen e procedurave të kalimit të kufirit. Policia kufitare në Kapshticë ka parashikuar që me afrimin e festave të fundvitit, kur pritet një numur edhe më i madh të ardhurish nga Greqia, të punohet deri me 7 sportele, që të mos krijohen  vonesa dhe pritje në doganë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›