Policia e Kosovës ruan Patriarkanën e Pejës

Pas një pune të përbashkët me KFOR-in për marrjen e përgjegjësive për sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare, Policia e Kosovës në muajin e kaluar ka marrë përgjegjësinë e ruajtjes së Patrikanës në Pejë.
Zëdhënësi i KFOR-it Gynter Bohner tha për Radio Kosovën se sigurimin e këtij objekti është duke e monitoruar KFOR-i. Ai tha se një marrëveshje e tillë pritet të nënshkruhet edhe për Manastirin e Deçanit.
Njësia speciale për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare ka rreth 200 policë dhe është fryt i bisedimeve të mëhershme ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Zëdhënësi i KFOR-it Gynter Bohn tha se KFOR-i është duke punuar ne drejtim të transferimit të kompetencave te Policia e Kosovës për sigurimin e objekteve kulturore dhe fetare.
Ai deklaroi se KFOR-i është duke bërë sigurimin e nëntë objekteve që parashihet të transferohen te Polica e Kosovës. Ndërkaq sa i përket Patrikanës në Pejë ai tha se Policia e Kosovës është duke bërë sigurimin por nën monitorimin e KFOR-it.
”Ju mund të shihni atje njësitin special të Policisë së Kosovës, por ka edhe patrullime të KFOR-it, kemi edhe një oficer ndërlidhës i cili është prezent. Pra Polica e Kosovës është duke e ruajtur, ndërkaq e monitoruar nga KFOR-i dhe ne do të shohim se sa do të jetë i nevojshëm procesi i monitorimit”, tha ai.
Zëdhënësi Bohn tha se sigurimi i Manastirit të Deçanit është në rend të bartjes së kompetencave te Polica e Kosovës por sipas tij, janë zyrtarët komunal, shtetërore dhe përfaqësuesit e Kishës ortodokse ata që vendosin se kur është koha më e përshtatëshme.
Ndërkaq Brahim Sadriu zyrtar për informim në Policinë e Kosovës shprehet se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të marrë përgjegjësitë për ruajtjen e objekteve të trashëgimis kulturore dhe fetare. ”Përbërja e njësitit special të policisë që ruan objektet kulturore dhe fetare është multietnike dhe kujdeset për sigurinë e 24 objekteve kulturore e fetare në Kosovë”, tha ai. /Indeksonline/