Tahiri: Pakursyeshum do ta përkrahim çdo biznes që krijon vende të reja pune

Sot, Kryetari i Aleancës për Prishtinën Besnik Tahiri së bashku me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ekipin e tij vizituan fabrikën për përpunimin e qelqit “Termokom”, ku bashkëbiseduan me menaxhmentin lidhur me sfidat dhe mundësit e përkrahjes me rastin e qeverisjes së AAK-së, me Prishtinën.
Kryetari Haradinaj, falënderoi pronarët për pritjen dhe punën që po bëjnë në krijimin e vendeve të reja të punës duke theksuar së është e rëndësishme që bizneset të ndjekin shembujt të njëjtë të profesionalizimit në sektorët ku ata veprojnë.
Tahiri, pasi që pa punën dhe përkushtimin e kësaj ndërmarrje në zgjerimin dhe profesionalizimin në këtë sektor theksoi se për një zhvillimit ekonomik lokal është tejet i rëndësishëm funksionimi i hapur, efikas dhe i drejtë i institucioneve komunale, përfshirja dhe konsultimi i vazhdueshëm i tyre, dhe krijimi i ambientit të favorshëm biznesor që së bashku këto formojnë një trekëndësh të pa ndashëm për suksesin.
Për këtë qëllim Aleanca për Prishtinën do të angazhohet në forcimin e këtij trekëndëshi, gjithmonë duke u bazuar në prioritete zhvillimore, me theks hapjen e vendeve të reja të punës si dhe rritjen e mirëqenies individuale dhe familjare të qytetarëve të komunës së Prishtinës.
Kësisoj, konkretisht zhvillimi ekonomik lokal dhe Partneriteti Publiko Privat do të mundësohet në kuadër të gjithë fushëveprimit të komunës e kjo do të arrihet përmes:
a. Ngritjes së kapaciteteve komunale për avancimin dhe përkrahjen e zhvillimit ekonomik lokal, në veçanti ngritja e kapaciteteve për përpilimin dhe implementimin e projekteve përmes Partneritetit Publiko-Privat (PPP);
b. Arritjes së Marrëveshjeve të Mirëkuptimit me kompani/korporata për krijimin e vendeve të reja të punës, ku Komuna do të ofrojë lehtësira në taksa dhe financa, ndërsa korporatat dhe kompanitë private marrin përgjegjësi për punësimin e të rinjve;
c. Krijimi i zyrës për promovimin e investimeve, e cila do të shërbej si udhërrëfyes për investitorët vendor dhe ata të huajt, të cilët dëshirojnë të fillojnë aktivitetin e tyre afarist brenda komunës sonë. Kjo zyrë do të zhvilloj fushata promovuese që kanë të bëjnë me përparësit dhe lehtësirat fiskale dhe administrative që ofron kryeqyteti për komunitetin e biznesit.
d. Prona komunale do të jetë në shërbim të investitorëve serioz të cilët me projektet e tyre konkrete do të gjenerojnë të hyra buxhetore dhe vende të reja pune. Komuna do të hartoj rregullativën e nevojshme lidhur me ekzekutimin e këtij projekti dhe i cili do të jetë nën mbikëqyrjen e kabinetit të kryetarit.
e. Për t’u siguruar që marrëveshjet janë tërësisht transparente, 60 ditë para nënshkrimit të tyre, do të bëhet publik drafti i marrëveshjes;
Tahiri po ashtu theksoi se Aleancën për Prishtinën fokusohet në disa principe bazë të qeverisjes siç janë: Burimet njerëzore do të konsiderohen gjithnjë si baza e zhvillimit ekonomik, qeverisja jonë në princip do të luaj rolin si stimulues dhe krijues i vlerave në sektorët strategjik, thithja e kapitalit dhe investimeve të huaja, si dhe transferimi i eksperiencës, do të jetë në qendër të vëmendjes, rritja e produktivitetit dhe cilësisë së prodhimeve, do të stimulohet për të realizuar objektivin e ekuilibrimit të bilancit tregtar, rritja e prodhimit të produkteve dhe shërbimeve lokale.
Rritja rolit të sektorit privat në zhvillimin ekonomik, ristrukturimit të ekonomisë dhe orientimit të zhvillimit në bazë të specifikave bazuar në traditën dhe potencialen e lokaliteteve, zhvillimit të një infrastrukture moderne si paraprirës e zhvillimit ekonomik e mbi të gjitha krijimi i vendeve të reja të punës dhe mirëqenies së qytetarëve do të jenë fondament i politikave ekonomike, ku me këtë rast Komuna do të subvencionoj përmes një fondi në vlerë prej 800.000 – 1 milion € në vite për inkurajimin për hapjen ndërmarrjeve të vogla apo bizneseve familjare në të gjithë sektorët. /Indeksonline/