Policia e Shtetit: Do të jemi barrikadë stoike përballë krimit

Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të saj për vitin 2023, duke e cilësuar vitin që po lemë pas si “një kryevlerë për imazhin e Shqipërisë”. Përmes një njoftimi për shtyp, policia deklaron se ka qenë garantja dhe e besuara e qytetarëve shqiptarë, barrikadë stoike përballë krimit.
“Policia është ideali që veshi uniformën për mijëra të rinj, si dhe reflektimi i sigurisë dhe ndihmës për miliona turistë. Rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, gjatë këtij viti që po mbyllet, më të mirat e arrira krahasuar me çdo periudhë të mëparshme, kanë reflektuar angazhimin 24/7 në terren të punonjësve të Policisë, në çdo skaj të vendit.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas policisë, analizimi objektiv dhe në dinamikë i fenomeneve kriminale në rang kombëtare që shqetësojnë më së shumti komunitetin, lufta pa kompromis ndaj paligjshmërive në tërësi dhe ndaj krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në veçanti, dhe kontakti i drejtpërdrejtë e etik me qytetarët dhe me median, për t’i ndjekur menjëherë dhe për t’i trajtuar në kohë problematikat që janë hasur, ishin pika të tjera të forta që sollën rezultate shumë më të mira përsa i përket krimeve kundër personit, 8 më pak se viti i kaluar dhe disafish më pak referuar 3 dekadave të fundit.
“Jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për t’u bërë dhe Policia e Shtetit është plotësisht e organizuar dhe e angazhuar, për të goditur paligjshmëritë në çdo formë të shfaqjes së tyre dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Të betuar në flamur, në ligj dhe në të drejtat e secilit qytetar që jeton dhe prosperon në vendin tonë, si dhe të zotuar për të qenë konsistentë në përpjekjen për të bërë më shumë dhe për të qenë më të denjë, Policia e Shtetit, ju uroj GËZUAR VITIN E RI 2024. Mbarësi e shëndet në familjet tuaja! Më shumë besim, bashkëpunim dhe ndërveprim për të ndërtuar një ambient më të sigurtë.”, përfundon njoftimi për shtyp i Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/