E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia e Shtetit bën bilancin e muajit korrik: 103 operacione, 761 të arrestuar, 2700 komplete me çadra dhe shezlongë të sekuestruar

Gjatë muajit korrik, Policia e Shtetit ka finalizuar 103 operacione policore dhe ka vënë në pranga 761 persona për vepra të ndryshme penale. Kjo u bë e ditur të dielën nëpërmjet një bilanci të detajuar të punës, ku theksi vihet te angazhimi i shtuar gjatë sezonit turistik dhe lufta kundër paligjshmërisë.

Njoftimi i Policisë thekson se janë finalizuar edhe 25 operacione në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të cilat kanë goditur krimet kibernetike, trafikimin e drogës dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Pjesë e këtij bilanci janë edhe statistikat e mëposhtme:

Janë asgjësuar 52,934 bimë kanabisi dhe janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë dhe 6.2 kg kanabis.

Janë sekuestruar 33 armë zjarri, 110 kapsolla detonatorë, si dhe janë zbardhur 10 ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje, plagosje dhe shkatërrim prone me eksploziv.

Janë parandaluar 6 konflikte me armë dhe 8 raste tentativash për vjedhje.

Mbrojtja e turizmit dhe siguria rrugore

Në njoftimin e detajuar, Policia ka treguar gjithashtu përkushtimin ndaj sigurisë në zona të tjera. Policia Kufitare ka goditur 68 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe 10 raste me dokumente false.

Janë bllokuar 134 mjete lundruese që cenonin sigurinë e pushuesve dhe janë sekuestruar rreth 2700 komplete me çadra dhe shezlongë në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”.

Policia Rrugore ka ndëshkuar 226 drejtues mjetesh (139 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 87 pa leje drejtimi) dhe ka pezulluar 252 leje drejtimi për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Janë konstatuar 44 raste zjarresh dhe janë proceduar 42 autorë të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Në fund të njoftimit, Policia e Shtetit fton qytetarët të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›