E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarri në malin e Skerficës rrezikon pyllin e mbrojtur të Pikësit, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Një vatër e madhe zjarri ka shpërthyer në malin e Skerficës, në territorin e Bashkisë Delvinë, duke rrezikuar përhapjen drejt territorit të Bashkisë Gjirokastër. Situata paraqitet tejet problematike, pasi flakët i janë afruar pyllit të mbrojtur të Pikësit, ndërsa terreni i thepisur malor e bën të vështirë ndërhyrjen nga toka.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër ka njoftuar menjëherë zjarrfikësit e Delvinës, të cilët janë nisur drejt vendngjarjes. Megjithatë, burime konfirmojnë se zjarri vijon të jetë aktiv dhe, në varësi të erës, rrezikon të marrë përmasa më të mëdha.

Për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë, shërbimi i MZSH Gjirokastër nuk ka mundur të ndërhyjë sot me mjete tokësore. Megjithatë, është konfirmuar se ditën e nesërme, një grup prej 10 zjarrfikësish nga Gjirokastra do të niset për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Për shkak të rrezikut të lartë, është kërkuar gjithashtu ndihma e forcave ushtarake për të asistuar në ndërhyrjen tokësore. Duke marrë parasysh kompleksitetin e situatës dhe rrezikun e dëmtimeve të parikuperueshme në pyllin e mbrojtur, një ndërhyrje emergjente nga ajri shihet si e domosdoshme për të vënë nën kontroll situatën. Forcat e zjarrfikësve po punojnë pa pushim, por terreni i vështirë dhe erërat e forta mbeten një sfidë serioze.

Kjo vatër zjarri shtohet në listën e zjarreve aktive që po përfshijnë vendin, duke theksuar nevojën për reagim të shpejtë dhe koordinim të plotë mes të gjitha strukturave përkatës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›