Policia e Shtetit dhe BE forcojnë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti sot në një takim të rëndësishëm përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dhe projektin EU4LEA, duke theksuar angazhimin e Policisë shqiptare për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në takim ishin të pranishëm Francesca Varlese, menaxhere e programit në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Giovanni Pasqua, Koordinator Ndërkombëtar i projektit EU4LEA, si dhe Thierry Vignes, Ekspert i Përhershëm Ndërkombëtar për Format Evolutive të Krimit të Organizuar dhe Policinë Shkencore, i emëruar nga CIVIPOL.
Drejtori Proda shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, e cila ka filluar që nga misioni PAMECA dhe ka vijuar me programin EU4LEA. Ai theksoi se kjo asistencë ka qenë thelbësore për rritjen e kapaciteteve profesionale të oficerëve të Policisë së Shtetit, nëpërmjet trajnimeve dhe asistencës teknike.
“Policia e Shtetit mirëpret çdo asistencë që kontribuon në profesionalizimin dhe modernizimin e strukturave tona,” u shpreh Proda, duke nënvizuar vendosmërinë e Policisë për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të rritur cilësinë e shërbimit dhe forcimin e kapaciteteve operacionale.
Faza e Dytë e Projektit EU4LEA
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e EU4LEA vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin e projektit në fazën e tij të dytë, të njohur si EU4LEA 2. Ata garantuan se mbështetja për Policinë shqiptare do të jetë edhe më e madhe në të ardhmen.
Projekti EU4LEA 2 bazohet mbi arritjet e fazës së parë dhe synon të rrisë performancën operacionale të institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky projekt zbatohet në bashkëpunim nga Ministria e Brendshme italiane, CIVIPOL (Francë) dhe GIZ (Gjermani), me bashkëfinancimin e Bashkimit Europian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Ky takim nënvizon angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër fenomeneve kriminale, duke shënuar një hap tjetër drejt modernizimit dhe profesionalizimit të Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/