Meta takon komisionerin Fule: Avancimin sa më të shpejtë të axhendës evropiane të Shqipërisë
Kreu i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi një takim në Bruksel me Komisionerin Evropian për Zgjerimin, z. Stefan Fule
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta u prit në Bruksel nga Komisioneri Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, z. Stefan Fule ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, me fokus të veçantë në avancimin sa më të shpejtë të axhendës evropiane të Shqipërisë, mbarëvajtjen e procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe në rolin që Shqipëria luan në rajon.
Z. Meta dhe z. Fule ndanë bindjen e përbashkët se axhenda evropiane e Shqipërisë duhet të mbetet prioriteti kryesor i të gjitha forcave politike në vend, duke theksuar rendesine e rritjes së angazhimit politik të të gjitha palëve, dhe te realizimit te një procesi elektoral te drejte e te ndershem.
Kreu i LSI z. Meta shprehu angazhimin e LSI për një politikë konstruktive dhe bashkëpunuese në vend për të avancuar axhendën e integrimit para dhe pas zgjedhjeve, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në përfundim, z. Meta dhe z. Fule diskutuan mbi situatën në rajon. Z. Meta theksoi se Shqipëria ka luajtur gjithnjë një rol parësor konstruktiv rajonal dhe se politika e jashtme do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Prononcimi nga Brukseli i z. Meta
Janë shumë të interesuar që Shqipëria të realizojë zgjedhjet e standardeve më të larta dhe do të japin edhe ata angazhimin dhe kontributin tyre për të nxitur realizimin e këtyre standardeve. Natyrisht që kjo është edhe një çështje e vullnetit tonë politik për të respektuar rregulla e lojës që i vendosim vetë dhe mbi të gjitha për të respektuar votën e qytetarëve me një proces transparent parazgjedhor, zgjedhor dhe postzgjedhor, dhe për të pranuar rezultatet.
Kemi diskutuar lidhur me rëndësinë e dhënies së impulseve të reja procesit të integrimit europian të vendit përpara zgjedhjeve, por njëkohësisht edhe pas tyre, ashtu sikurse kemi vlerësuar se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për të përshpejtuar integrimin europian të Shqipërisë. Mendoj se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të fituar mundësisht edhe një ditë, për të mos thënë edhe një muaj, në këtë proces. Është një proces i rëndësishëm për Bashkimin Evropian por është akoma më i rëndësishëm për ne që duam të anëtarësohemi në BE.
Z.Meta, kur flisni për përshpejtimin e procesit integrues, impulset e reja apo reformat integruese, a keni parasysh dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë apo kushtin e një gjyqësori të pavarur, pa ndikime nga politika?
Unë i kam parasysh të gjitha ato kërkesa, të cilat janë konsideruar si një minimum, por edhe gjithë të tjerat të cilat bëjnë fjalë për standarde më të larta në të gjitha fushat dhe në të gjitha aspektet.
Cili është komenti juaj në lidhje me kritikat e perëndimit për retorikën nacionaliste?
Mendoj se politika e jashtme e Shqipërisë nuk ka ndryshuar, ajo nuk mund të ndryshojë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë shembulli më pozitiv i politikës së fqinjësisë së mirë. Një Shqipëri që e merr statusin e vendit kandidat është edhe më kredible për ta luajtur këtë rol më me efikasitet në të gjithë rajonin