E Diel, 1 Nëntor 2026

Botuesi Favre: Shqipëria, një vend që po ecën drejt zhvillimit me shumë shpejtësi

26-02-2013 / Gazeta 55

Revista zvicerane “Illustre”, reportazh të gjatë për ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe imazhin e ri që ky vend po i jep botës perëndimore

Pierre Marcel Favre, botuesi i njohur franko-zviceran rrëfen për lexuesit e specializuar të periodikes zvicerane ndryshimet e Shqipërisë, që prej vizitës së tij të fundit më 2005-n. Ai falënderon autoritetet e Tiranës për marrjen e Medaljes së Mirënjohjes, për kontributin e dhënë në publikimin në Perëndim të librave shqiptarë që rrëfejnë përpjekjet për dekomunistizimin e shoqërisë

Audiencë private
Kryeministri shqiptar Sali Berisha prit në një takim privat botuesin zviceran Pierre Marcel Favre dhe djalin e tij Bart, për t’i falënderuar. Pas një bashkëbisedimi rreth një orë Berisha e ka përcjellë deri tek pragu i kryeministrisë,  një nder i veçantë të cilin ia kishte bërë më parë vetëm presidentit Bush.

Miqësia
Drejtori i së përditshmes “55” (është në nderim të nenin “55” të kodit Penal që dënonte disidentët gjatë regjimit komunist) Fahri Balliu e ftoi, së bashku me bashkëshorten e tij, atë që është gjithashtu edhe botuesi i tre prej librave të tij.

Nga Robert Habel
Revista “Illustre”

E gdhiu tërë natën në festë, këndoi, kërceu, piu raki, pijen e veçantë alkoolike të lokalit. U hodh, qeshi, bëri shaka,  i zhytur tërësisht në një amanet  tipik të çmendurisë së butë ballkanike. Pjatat që ndërrohen njëra pas tjetrës, dollitë e pafund,  mysafirët që vijën e shkojnë...  E enjte mbrëma, 24 janar, Pierre Marcel Favre, botues nga Lozana dhe themelues i Sallonit të Librit në Gjenevë,  u gjend i lumturuar në një tjetër mjedis, krejt i ndryshëm, një restorant në Pogradec,  një qytet buzë liqenit në jug të Shqipërisë për të marrë pjesë në një banket të madh të organizuar për nder të tij. Ai që refuzon me kokëfortësi të thotë moshën e tij, - “Jam 20 vjeç”, përgjigjet i sigurt kësaj here, duke dëshmuar gjithë hare rininë e tij,  shijon festën, shpreh entuziazmin, si në një lloj shoqërie rinore të gëzueshme.  Aq më tepër,  kur është në shoqërinë e miqve të tjetër, të cilët i ka takuar para 25 vitesh, në vendin e tyre.
Rrotull tavolinës së madhe, është mbledhur thuajse gjithë elita e vendit. Disa prej të ftuarve njërës të rëndësishëm, një ish kryeministër, ministra, diplomatë, gjyqtarë,  pronarë të medies së vendit. Ata kanë ardhur nga Tirana atë ditë (thuajse katër orë rrugë) për të nderuar këtë zviceran si askush tjetër me një shpirt kaq aventurier, që e kishte zbuluar  vendin e tyre 35 vjet më parë, kur ishte i veçuar nga pjesa tjetër e botës, nën diktaturën e Enver Hoxhës, të cilën s’e ka harruar asnjëherë.

Pritja në Presidencë
Mbi pallton e Pierre Marcel Favre një shkëlqim mbërthen të gjitha vështrimet. Medalja e Mirënjohjes, një nga më të lartat  dekorata shqiptare,  e cila iu dha pak para mesditës  në Presidencë nga presidenti Bujar Nishani, gjatë një ceremonie solemne. Himni Kombëtar, pastaj fjalimet. “Kjo Medalje u jepet ju për mirënjohje në prezantimin e kulturës shqiptare dhe të realitetit diktatorial komunist”, deklaron presidenti  përpara kamerës dhe medies, të cilat i kushtuan një vëmendje të veçantë kësaj ngjarjeje.
Fillimisht kalorës e më pas oficer i Legjionit të Nderit si dhe fitues i Medaljes për  Artin dhe Letrat, Pierre Marcel Favre është shpërblyer përsëri, kësaj vere nga një vend, që për nga relievi i thyer, malet dhe liqenet, sikurse nga dëshira e egër për të qenë i lirë dhe i pavarur, ngjan paksa me Zvicrën.
“Këto nderime, janë shpërblime shumë simpatike, thotë Pierre Marcel Favre,  duke qeshur, janë shumë prekëse dhe shumë njerëz dëshirojnë t’i kenë. Nuk ka shumë rëndësi pesha e saj, por kjo më jep shumë kënaqësi. Ky dekoromi shqiptar, mbi të gjitha, ka shumë kuptime për mua, sepse ka të bëjë me një kuriozitet personal. Kam qenë gjithmonë i tërhequr nga venet e mbyllura, ku shpesh herë ju këshillojnë të mos shkoni. Kam qenë në Somali, Në Korenë e Veriut, Në Guinenë e Re,  në Liban gjatë luftës...”
Në vitin 1979 botuesi i ri vendos të shkojë në Shqipëri. Një aventurier! Vendi i shqiponjave jetonte atëherë nën diktaturën e Enver Hoxhës, në një varfëri absolute. “Ishte vendi më i mbyllur i botës, kujton sot Favre, ishte ende kulti i Stalinit. Ishte e pamundur të shkoje, por unë mora një ftesë për të bërë një libër mbi Shqipërinë. Gjatë udhëtimin për në Tiranë me avion takova një shok, i cili bënte pjesë në ato grupet marksiste, që po shkonte të çelikoste rrugën e hekurt. Në aeroport kishte një berber që u priste flokët të rinjve që zbrisnin. Ishte moda e flokëve të gjata. Duhet të linim të gjitha gazetat, librat e revistat në një dollap e t’i merrnim kur të ktheheshim”
Çfarë zbuloi z. Favre. Perandorinë e Hiçit. Tirana ishte e zbrazur, e heshtur. “As që mund të flitej për rrugë, kishte vetëm kalime, as vetura, një apo disa limuzina për nomenklaturën, pak dyqane e pak kafe. Asgjë. Kishat e xhamit, ishin mbyllur, pasi Hoxha e kishte shpallur Shqipërinë një vend ateist. Gjithandej kishte bunkerë të vegjël të cilët mendohej se do të mund të zmbrapsin një pushtim kapitalist të mundshëm. U ndërtuan mbi 100 000 të tillë! Kishte edhe një bazë detare kineze e cila u ndërtua përballë Italisë, 70 km nga Brindisi. Askush nuk fliste anglisht. Përveç një grupi arkeologësh gjermanë,  nuk pashë asnjë të huaj.

Ringritja e vendit
Kur Pierre Marcel Favre themeloi Sallonin e Librit të Gjenevë, në 1987, ai priti edhe një stendë të librit shqip, e cila u përsërit për disa vjet dhe bëri të mundur edhe vizitën e shumë shkrimtarëve të bënin takime dhe njohje të veprës së tyre. Aty lidhi miqësi me një nëpunës të ndërmarrjes së libriit shqiptar, Riza Poda, të cilit e priti më pas për specializim pranë shtëpisë së tij botuese në Lozanë e më pas u bë diplomat. Ai njohu gjithashtu edhe Fahri Balliun,  gazetar dhe shkrimtar që më pas u bë drejtor dhe pronar i gazetës së përditshme dhe shtëpisë botuese “55”, prej të cilit botoi tre nga librat e tij. Prej vitit 1987 Shqipëria ishte filluar të zgjohej.  Enver Hoxha vdiq në 1985 dhe u zëvendësua nga Ramiz Alia, një komunist më pak klasik, më pak paranojak. “Kur erdha përsëri në Tiranë më 1988, përgjigjet Favre, ndihej që vendi po dridhej, por vendi ishte përsëri i paralizuar. Takova shkrimtarin e madh Ismail Kadare, hëngrëm një drekë në Durrës, një qytet-port në Adriatik, një gjysmë ore larg Tiranës. Kadare ishte shkrimtari zyrtar por që kritikonte regjimin. Vetëm në vitin 2005, në udhëtimin tim të tretë në Tiranë, pashë me të vërtetë ndryshimin e madh: komunizmi ishte varrosur, kishte vetura, dhe ajo më mbresëlënësja ishte se kishte ndërtesa të reja që shtroheshin çdo ditë, si kërpudhat”.
Përgjatë katër ditëve Pierre Marcel Favre, riveshi edhe një herë, -siç thotë ai, - rrobat e një të kaluare të çmendur. I pritur zyrtarisht në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës, ai gjeti një vend që po ecën drejt zhvillimit me shumë shpejtësi, por gjithashtu një popull shumë mikpritës dhe të ngrohtë, i hapur dhe kurajoz, që po nxiton të kapë kohën e humbur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›