E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit, medalje për 6 oficerë të Guardia di Finanza

TIRANË- Një grup përfaqësuesish të Misionit Guardia di Finanza në Shqipëri u nderuan sot me medalje për kontributin e çmuar që kanë dhënë në të mirë të Policisë së Shtetit dhe në forcim të bashkëpunimit midis popullit italian dhe atij shqiptar.

Ne ceremonine e organizuar me këtë rast, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ishin te pranishem Ministri i Brendshem, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe Misionit Guardia di Finanza në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm, Nishani, në fjalen e tij shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga përfaqësuesit e Guardia di Finanza dhe bashkëpunimin e mirë mes dy palëve, në themel të të cilit qëndron besimi reciprok.
"Është e vërtetë që ky është një bashkëpunim midis dy vendeve tona, midis dy qeverive dhe dy organizatave të ndryshme, por është njëkohësisht edhe një kontribut që shkon përtej kufijve, përtej interesave të tjera. Është një kontribut që kapërcen kufijtë dhe shkon në interes të sigurisë të të gjithë rajonit e më gjerë, në interes të të gjithë hapësirës europiane", theksoi Nishani.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, evidentoi faktin që rezultatet pozitive të arritura gjatë bashkëpunimit të ngushtë mes policive respektive kanë ardhur pikërisht në sajë të besimit që është krijuar mes policisë shqiptare dhe asaj italiane.
"Shpreh besimin se edhe kjo ceremoni dëshmon bashkëpunimin mjaft të ngushtë dhe marrëdhënien e bazuar në besimin reciprok midis policive respektive të dy vendeve tona", theksoi z. Gaiani.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj, vlerësoi së tepërmi bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e policisë kufitare shqiptare nga ana e Misionit Guardia di Finanza, si në drejtim të shkëmbimit të informacionit, trajnimin e specializuar të punonjësve të kufirit detar, ashtu edhe në realizimin me efektivitet të operacioneve policore antitrafik.

Në përfundim të ceremonisë, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u dorëzoi "Diplomat për merita ", Komandantit të Njësisë së Kufirit Detar të Guardia di Finanza-s në Shqipëri, Kolonel Francesko Guerinit, Mareshall Antonio Colino, Kapiten Paolo Zottola, Mareshall Vincenzo del Ponte, z. Salvatore Murciano, z. Giovanni D. Andrea. Gjashtë pjesëtarëve të Misionit Guardia di Finanza iu akorduan këto diploma në shenjë falënderimi të veçantë për kontributin e çmuar që kanë dhënë në të mirë të Policisë së Shtetit dhe në forcim të bashkëpunimit midis popullit italian dhe atij shqiptar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›