E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës: S’ garantojmë mbarëvajtjen e tubimit të PS-së

28/01/2011  Përgjigje negative e bluve të kryeqytetit. Demonstrata “në mëshirë të fatit”

TIRANË- Policia e Tiranës nuk garanton mbarëvajtjen e demonstratës së Partisë Socialiste, duke e lënë “në mëshirë të fatit” tubimin e këtij subjekti politik. Dhuna e demonstruesve të 21 janarit ishte shkaku që blutë e Tiranës nuk e marrin përsipër mbarëvajtjen e këtij tubimi të dytë. Më konkretisht zyrtarisht policia shprehet se “Në përgjigje të shkresës Tuaj, Nr.4 prot, datë 26.01.2011, “Njoftim për tubim”, dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku njoftoni për organizimin e një tubimi homazh në datë 28 janar 2011, ora 13.30 deri në orën 15.30, ku grumbullimi i pjesëmarrësve organizohet në disa vend grumbullime, duke lëvizur në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë. Pavarësisht nga masat që po merr dhe do marrë Policia e Shtetit në përputhje me detyrimet e përcaktuara në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe bazuar në nenin 1, pika 2, të ligjit Nr.8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet”. Duke pasur parasysh se tubimi i datës 21 janar 2011 degjeneroi në akte dhune, cenim të rendit kushtetues, sulm ndaj institucioneve kushtetuese, sulme të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale për garantimin, mbarëvajtjen dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Duke pasur parasysh se një numër i madh protestuesish në tubimin e lartpërmendur, dispononin armë zjarri, bomba Molotov, mjete të tjera të forta si gurë, shkopinj, etj, si dhe duke u bazuar në informacionet që administrohen nga strukturat e Policisë së Shtetit, për të cilat (re: pika i) dhe ii) Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka bërë referimet e veprave penale në lidhje me aktet e mësipërme, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka vendosur: Zhvillimi i një tubim-homazh të tillë, përbën rrezik për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, Sipas sanksionimit ligjor, të nenit 1, pika 2, të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet” dhe në rrethana të tilla, Policia e Shtetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nuk garanton mbarëvajtjen dhe zhvillimin e këtij tubimi”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›