Policia e Tiranës vijon kontrollet për nivelin e zhurmave në subjektet me muzikë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Policia e Tiranës ka vijuar kontrollet dhe matjet për nivelin e zhurmave në subjektet që zhvillojnë aktivitete me muzikë, me fokus zonat me intensitet të lartë të aktivitetit gjatë fundjavës.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, veprimtaria e të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, me qëllim respektimin e kritereve ligjore për orarin e aktivitetit dhe nivelin e zhurmës.
Paralelisht, kontrollet dhe verifikimet në terren kanë vijuar kryesisht në zonën e ish-Bllokut, si dhe në zona të tjera me aktivitet të lartë.
Në kuadër të kontrolleve, efektivët e Policisë kanë përdorur pajisje matëse të zhurmës për testimin e ambienteve dhe subjekteve, të hapura dhe të mbyllura, me qëllim verifikimin e respektimit të niveleve kufi të lejuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Policisë së Shtetit, matjet e kryera gjatë kontrolleve kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Kontrollet, verifikimet dhe matjet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike, garantimin e qetësisë publike dhe respektimin e legjislacionit.
Policia e Tiranës u ka bërë apel pronarëve dhe administratorëve të subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë të respektojnë kriteret ligjore për orarin e aktivitetit dhe nivelin e zhurmës.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të njoftojnë Policinë për çdo rast shqetësimi apo shkeljeje, duke garantuar reagim dhe ndërhyrje në përputhje me ligjin.
/gj.m/r.e/ /a.g/