Policia Rrugore e Tiranës, mbi 11 mijë masa administrative

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar monitorimin e akseve rrugore, si dhe të pikave hyrëse e dalëse të kryeqytetit, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Sipas Policisë, gjatë javës së fundit janë arrestuar ose proceduar 55 shtetas për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, ndërsa janë vendosur gjithsej 11 420 masa administrative.
Gjithashtu, 71 automjete janë spostuar me mjet ngritës.
Kontrollet kanë qenë të përqendruara veçanërisht te drejtuesit që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, përdorin celularin gjatë drejtimit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, si dhe kryejnë parakalime të gabuara.
Gjatë kësaj periudhe janë vendosur 750 masa për tejkalim të shpejtësisë mbi normat e lejuara, 707 për parakalime të gabuara, 1369 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse ose jelekut fosforeshent, 411 për mosdhënie përparësie qytetarëve dhe 353 për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Ndërkohë, 309 masa janë vendosur për përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 256 për qarkullimin e motomjeteve në korsitë e biçikletave, 127 për qarkullimin me xhama të zinj të riveshur dhe 98 për mangësi në dokumentacion.
Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur gjithashtu 56 masa për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të gabuara në qendrat e banuara, ndërsa 36 masa janë vendosur për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit.
Policia Rrugore apelon ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të lirë dhe pa pengesa.
/gj.m/r.e/ /a.g/