Policia e Vlorës, gjobë 400 mijë lekë administratorit të anijes turistike

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Një anije turistike është ndëshkuar me masë administrative prej 400 mijë lekësh, ndërsa administratori dhe kapiteni i saj janë proceduar penalisht, pasi lëshonin muzikë me volum mbi normat e lejuara gjatë lundrimit në Vlorë.
Sipas Policisë, ndërhyrja u krye pas ankesave të qytetarëve, të cilët denoncuan ndotjen akustike në afërsi të zonës së Ujit të Ftohtë, në drejtim të Lungomares.
Shërbimet e Policisë, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë sezonit turistik, konstatuan rreth orës 00:52 një anije turistike që lundronte nga zona e Ujit të Ftohtë drejt Portit të Vlorës, duke transmetuar muzikë me volum mbi kufijtë e lejuar dhe duke prishur qetësinë publike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë, e cila nisi procedimin penal ndaj administratorit të anijes, shtetasit D. S., 22 vjeç, banues në Vlorë, si dhe kapitenit, shtetasit V. P., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë veprimeve u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një amplifikator dhe dy bokse audio.
Policia e Shtetit bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim garantimin e qetësisë publike dhe sigurisë së pushuesve.
/e.i/