Berisha: Protestat nuk po i ndal as terrori policor, as temperaturat e larta

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se protestat do të vijojnë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe demokratëve t’i bashkohen tubimit të paralajmëruar për mbrëmjen e sotme.
“Sot, shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë, ndaj dhe ftoj të gjithë demokratet e demokratët të jenë sonte në këtë uragan që ka tronditur dhe që ka bërë të pashpresë regjimin e Edi Ramës”, tha Berisha.
Në një komunikim virtual me qytetarët, Berisha u shpreh se protestat nuk janë ndalur pavarësisht temperaturave të larta dhe masave të Policisë.
“Mijëra e mijëra të rinj, të reja, qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë bënë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të dëmtuar, për të ndaluar, për të bllokuar protestën rinore qytetare më madhështore të 35 viteve të fundit. As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës”, cilësoi ai.
Berisha kritikoi qeverinë për situatën politike dhe ekonomike në vend, duke e akuzuar se nuk u jep përgjigje problemeve të qytetarëve dhe se synon vetëm ruajtjen e pushtetit.
“Në një kohë kur Edi Rama vazhdon llafollogjinë e tij të pafundme dhe nuk thotë asnjë fjalë për problemet e panumërta të qytetarëve shqiptarë, nafta ka arritur në Shqipëri 2300 lekë, ndërkohë që në bursë është gjithsej 85-90 dollarë. Por, rikujtoj shqiptarët këtu se me 11 korrik të vitit 2008, është një datë e veçantë, është data në të cilën nafta në bursa ka pasur çmimin më të lartë të 20 viteve të fundit”, pohoi ai.
Gjatë komunikimit të tij, Berisha tha se Partia Demokratike po vijon punën për organizimin e strukturave të saj, në përputhje me vendimet e Kuvendit të partisë.
“PD po vazhdon aktivitetin e saj në përputhje me direktivat e Kuvendit të fundit, organizimit, digjitalizimit, vizionit dhe këtu çdo ditë punohet me intensitet në këto drejtime”, vijoi ai.
/e.i/a.f/