Policia e Vlorës sekuestron 11 parcela me drogë, 6 persona në ndjekje penale
Pas një muaji investigimi, policia e qarkut të Vlorës ka mundur të sekuestrojë 512 bimë narkotike të mbjella në 11 parcela duke çuar për ndjekje penale 6 persona. Në operacionin e djeshëm, i cili do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, janë mobilizuar plot 180 forca policie. Burimet zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se ka edhe të tjerë persona të shoqëruar, ndërkohë që blutë nuk kanë identifikuar emra, për shkak të hetimeve që po kryhen.
Zona të lumit të Vlorës, vijojnë të jetë problematike përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, ku edhe pse lufta ndaj hashashit është shpallur hapur nga policorët, banorët këmbëngulin në mbjellje. Në konferencën e dhënë dje për shtyp nga zëdhënësi i policisë së Vlorës, bëhet me dije se nga ana e strukturave të departamentit të hetimit të krimit në drejtorinë e policisë së qarkut Vlorë, në bashkëpunim dhe me komisariatet e policisë së Vlorës, Sarandës, Delvinës, u zhvillua një operacion i gjerë në rang qarku për goditjen e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike. Veprimet e policisë janë shtrirë në rrethet Vlorë e Sarandë, ku morën pjesë 180 forca policie. Sipas të njëjtave burime, pas këtij operacioni filluan 6 procedime penale, 1 në Sarandë dhe 5 në Vlorë. Sipas policisë, gjatë këtij aksioni u goditën 11 parcela me 512 bimë narkotike gjithsej, nga të cilat, në komunën Vllahinë 7 parcela, në komunën Armen 3 parcela dhe në rrethin e Sarandës 1 parcelë tek vendi i quajtur Kanali i Çukës, me 88 bimë narkotike. Nga ana e policisë në bashkëpunim dhe me organin e prokurorisë, po vijon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të këtyre shtetasve. Goditja e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike është një nga detyrat primare që Policia e Shtetit i ka vënë vetes prej kohësh, megjithatë zonat problematike duket se do të jetë tepër e vështirë të dalin nga rrethi i kuq. Veç Vlorës, si një vend problematik përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike mbetet ende prej vitesh edhe Komuna e Lazaratit, në Gjirokastër. Madje në këtë zonë, mbjellja dhe kultivimi i bimëve narkotike është edhe vetëpunësimi dhe sigurimi i të ardhurave familjare për pjesën më të madhe të banorëve të këtij fshati.