E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohet shtëpia e piktorit Vangjush Mio

Një ndër ndërtesat karakteristike të qytetit shtëpia muze e Piktorit të Popullit Vangjush Mio i është nënshtruar proçesit të restaurimit,dhe  po merr pamje të re. Shtëpia e piktorit të njohur mirëmbahet jo vetëm për vlerat historike, por edhe për fondin e veprave të piktorit të cilat ruhen në të. Restaurimi në shtëpinë muze të piktorit po kryhen falë një investimi prej 4 milion lekësh nga buxheti i shtetit. Kështu janë riparuar dyert dhe dritaret, çatia me tjegulla të vjetra, rregullimi i  kalldrëmit të oborrit, suvatime të jashtme. Ky është restaurimi i dytë që po bëhet, pas atij të kryer në vitin 1990 në shtëpinë muze të Piktorit të Popullit Vangjush Mio. Ndërtesa është e mbuluar me tjegulla vendi dhe në restaurimin e parë u ruajt stili dhe materiali i përdorur për ndërtimin e saj. Edhe në këtë restaurimin të dytë synohet që të ruhen veçoritë që ka shtëpia karakteristike. Banesa e quajtur " Mysafirhania e Vangjush Mios" është ndërtuar në periudhën e Rilindjes, në vitet 1831-1912. Ajo u shpall Monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1977 për vlerat arkitektonike, historike e kulturore. Banesa ka shkallë guri të jashtme dhe të brendshme druri me parmakë. Në pjesën qendrore në katin e dytë, shtëpia ka esker (e dalë) në formë katrore, karakteristikë kjo e periudhës së Rilindjes, që e trashëgojnë mjaft ndërtesa të tjera në qytetin e Korçës. Një pjesë e shtëpisë të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio funksionon si banesë dhe pjesa tjetër si muze, që është i vizitueshëm nga turistët vendas dhe të huaj. Në pjesën e muzeut janë të ekspozuara veprat e piktorit impresionist korçar Vangjush Mio. Rreth 40 piktura në vaj, peizazhe, natyra të qeta, nudo si dhe shumë vizatime, që shquhen për stilin e tyre të veçantë të punimit nga mjeshtri korçar i penelit korçar, ruhen në fondin e muzeut të familjes së tij. Ndërkohë që restaurimi i shtëpive muze dhe monumenteve të kulturës ka qenë prioritet i punës së Drejtorisë së Degës së Monumenteve të Kulturës së qytetit të Korçës. Në 4 vitet e fundit, janë kryer investime me vlerë rreth 500 milion lekë nga buxheti i shtetit për restaurimin e një sërë objektesh të shpallura Monument Kulture në rrethin e Korçës, ndër to edhe për Pazarin e vjetër të qytetit. Në këtë qytet ka përfunduar restaurimi i fasadave të 20 ndërtesave karakteristike, për të cilat u investuan 20 milion lekë. Vitin e kaluar, në këtë kompleks muzeal u financuan nga buxheti i shtetit 15 milionë lekë për restaurimin e 15 fasadave të ndërtesave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›