E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet trafiku i klandestinëve në Gjirokastër, kapet udhërrëfyesi, në kërkim ndihmësi

Trafikantët do të përfitonin 14 mijë euro nga 4 klandestinët
Arrestohet një shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër për trafik klandestinësh. Mesditën e djeshme, rreth orës 15:00, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve Ilegale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Sotir Roshi, 26 vjeç, banues në Gjirokastër. Prangosja e tij ka ardhur pasi policia e ka gjetur me katër shtetas në automjetin që drejtonte, të cilët më pas u zbulua se do ti kalonte ilegalisht në drejtim të Greqisë për qëllime fitimi. Ka qenë ora 05:00 e mëngjesit të djeshëm ku është bllokuar rrugëtimi i klandestinëve drejt Greqisë të cilët kishin për ndihmës në këtë aventurë që vlente nga 2000 euro për secilin, Sotir Roshin dhe Aleksandër Veliajn. Shërbimet e Policisë së Gjirokastrës me të marrë informacionin e saktë, kanë ngritur në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë afër fshatit Sofratikë rreth 17 km në jug të qytetit të Gjirokastrës, një postbllok për kapjen e këtyre shtetasve. Si Sotir Roshi dhe Aleksandër Veliaj, kishin në përdorim nga një autoveturë secili me targa greke që të mos binin në sy, pasi kryesisht tek automjetet me targa të huaja policia rrugore nuk ushtron kontroll. Nga të dhënat e mëpasme u mësua se Roshi dhe Veliaj edhe herë të tjera kanë përdorur dy automjetet për të transportuar klandestinë. Dy të rinjtë, kur i janë afruar postbllokut të policisë të ngritur në vendin e përcaktuar, u është bërë shenjë të ndalonin por njëri prej tyre shtetasi Aleksandër Veliaj, nuk ka preferuar të ndalojë duke u larguar me shpejtësi. Menjëherë në ndjekje të tij janë vënë agjentët e policisë por nuk kanë arritur dot ta kapnin pasi ai ka braktisur automjetin në fshatin Terihat me katër pasagjerë klandestinë brenda dhe është larguar në drejtim të paditur. Dy çiftet e ndodhur brenda mjetit përkatësisht nga Berati dhe Fieri janë shoqëruar për në Policinë e Gjirokastrës për intervistim. Ndërsa shtetasi Sotir Rroshi nuk ka mundur dot të largohet dhe është arrestuar në flagrancë. Ashtu si Veliaj edhe Roshi transportonte me automjetin e tij katër shtetas, dy meshkuj dhe po kaq femra nga Lushnja e Fieri. Nga intervistimet e kryera nga specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër rezultoi se, këta shtetas do të kalonin kufirin ilegalisht duke paguar nga 2 mijë euro për person. Policia nga ana e saj ka bërë sekuestron e automjeteve në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimin në flagrancë të Sotir Rroshit ndërkohë që është shpallur në kërkim autori tjetër i kësaj vepre penale Aleksandër Veliaj. Sipas Policisë, si Veliaj dhe Roshi prej një periudhe dy mujore investigoheshin nga ana e agjentëve të policisë pasi dyshoheshin se ishin pjesëmarrës aktiv në veprimtarinë ilegale të transportit të personave të ndryshëm në drejtim të Greqisë me qëllim fitimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›