E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia gjen një të arratisur që fshihej në selinë e PS-së

psPolicia e Shtetit nuk mund të qëndrojë dot larg përfshirjes në fushatë.

Mesditën e sotme, punonjës të saj kanë deklaruar për mediat se kanë arrestuar brenda në selinë e PS-së, Orges Milon, i cili u arratis nga Komisariati Nr.1 ditën e djeshme.

Në fakt, arrestimi i tij ka ardhur pas njoftimit të punonjësve të PS-së, duke qenë se Milo është shtirë në gjendje të rëndë brenda selisë rozë. Kaq ka mjaftuar, që policia të deklaronte se ai fshihej brenda selisë së PS-së.

PS ndërkohë, ka denoncuar faktin se policia është përpjekur ta përdorë politikisht këtë rast.

Sot në orën 13.30, në selinë e Partisë Socialiste ka hyrë një i ri, i dëmtuar fizikisht, me plagë të dukshme dhe në gjendje tejet të rënduar mendore. Pasi ka këmbëngulur të hyjë në ambientet e brendshme të selisë, i riu është shtrirë në hollin e selisë ku dhe është ndalur nga personeli përkatës, të cilët kanë njoftuar Policinë e Shtetit në numrin 129. Po ashtu është lajmëruar nga personeli edhe shërbimi i urgjencës. Është e turpshme që ky rast përdoret politikisht nga Policia e Shtetit. Edhe në këto ditë të fundit të fushatës Policia e Shtetit përfshihet në lojëra të turpshme politike duke bërë insinuata të tilla. Ashtu siç është e turpshme paaftësia e kësaj policie të cilës i arratisen të arrestuarit nga rajonet. Ne kemi bërë vetëm detyrën tonë, duke telefonuar policinë dhe shërbimin e urgjencës, thuhet në reagimin e PS-së.

Më vonë ka reaguar edhe policia me një njoftim zyrtar, e cila pasi shpërndau fillimisht lajmin se Milo fshihej në selinë e PS-së, këtë radhë ka falenderuar punonjësit e PS-së për bashkëpunimin./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›