Kur nuk voton, nuk ke të drejtë të psherëtish!
Ata që ftojnë për të mos shkuar në qendrën e votimit, apo për të vajtur atje e për ta prishur fletën e votimit, bashkohen në dëshirën për një tërmet shkatërrimtar dhe shërues në botën e politikës shqiptare paskomuniste.
Që të dy propozimet janë të parealizueshëm. Se, fv, a mund të rrinë pa votuar liderët e partive që paraqiten për tu zgjedhur? Po familjet e tyre, shokët, miqtë, shtabet e tyre elektorale. Vetëm badigardët e kryeministrit plotësojnë votat për një deputet. A mund të bojkotojnë votimin të punësuarit e Berishës dhe të Metës? Po ata që janë larguar nga puna para tetë vjetësh dhe drithërojnë tani që ta rifillojnë veprimtarinë e tyre të paguar aty ku e lanë? A mundet pra en bloc populli shqiptar tu tregojë derëdaljen klasës aktuale politike. Natyrisht, jo.
Bojkotimi i pjesshëm, nuk bën gjë tjetër veçse favorizon qëndrimin në pushtet të një formacioni politik nga më të degraduarit në historinë kombëtare. Prandaj nëse ky popull i stërlodhur dëshiron që të shërojë një shtet të sëmurë rëndë, duhet të vrapojë drejt kutive të votimit, të votojë në mënyrë sa më korrekte, pa lënë mundësi që vota të lexohet turbull apo të interpretohet pavlefshmërisht.
Të dy koalicionet madhore krijuan këto ditë idenë e dy ndërmarrjeve gjigande të punësimit. Punësim, punësim, punësim! Kjo flet qartë që po ftohen të votojnë shtresa shoqërore barkthata, apo shtresa shoqërore sot të ngopura, por që nesër i tremben urisë.
Varfëria e ideve në fushatën e udhëhequr nga Sali Berisha, e bënte atë monotone dhe përsëritëse të premtimeve të pambajtura. Retorika e tij ishte e dalëboje, mashtruese dhe të vetmet shkëndija gjallërimi ishin romuzet që i hidhte kundërshtarit, të cilit i trembet. Në dy muaj fushatë ai i quajti bashkëbisedim fjalimet e tij të pandërprera përpara të mbledhurish që kishin urdhër të mos pushonin asnjë çast brohoritë. I vetëdijshëm që në thelb qeverisja e tij tetëvjeçare ishte mjerane, ai radhiste shifra mashtruese që nuk ngrohnin njerëz, të cilët porositë për tu dukur të ngrohtë i kishin marrë që pa ardhur para mikrofonit të demagogut të ngjirur. Berisha ndoqi një vijë logjike të dukshme: të tregonte se sa i keq do të jetë Rama, po ti zërë vendin. Ish njësoj sikur të thoshte copë ju betohem, ai do të jetë më i keq seç isha unë!
Personalisht do të votoja për FRD-në e zotit Bamir Topi, i cili daç me të kaluarën prapa liderit të PD-së, daç me kufizimet konfliktuale, me të cilat e rrethuan ata që e vunë në krye të shtetit, nuk i ka shfaqur ende vlerat e tij reale. Edhe në pastë njerëz që nuk e njohin, apo që nuk e kanë dëgjuar gjatë shpalosjes së pikësynimeve në fushatën e tij korrekte, pa fanfara dhe fishekzjarre, më shumë se sa do të votojnë Topin, ata do të antivotojnë Berishën. Dhe Berisha antivotimit i trembet. FRD nxjerr për votim apo përmban në potencialin e radhëve të veta, njerëz që kanë dhënë prova të dinjitetit dhe besnikërisë ndaj kanuneve të demokracisë, si zoti Topi vetë, apo zotërinjtë Oketa, Biberaj, Gumeni, Krasniqi dhe plot të tjerë. Votuesit që deri tani mbështesnin Berishën, që u ish afishuar tërë këta vite si antikomunist dhe si shërues i plagëve të regjimit të Hoxhës, (gjë që rezultoi një gënjeshtër madhore), kanë rast të provojnë FRD-në, këtë formacion, që është nga më të shëndetshmit, aspak i ngjashëm me ikanakët dhe ardhanakët dhjetoristë që formuan përkohësisht parti dhe fraksione karikatureske.
Kur vjen fjala te të majtët, Partia Socialiste ka të drejtën e saj të plotë të kandidohet në udhëheqje të koalicionit sfidues që do të marrë në dorë punët e vendit. Ajo ka rastin ti kundërvihet edhe Berishës, edhe ish liderit të saj butaforik Nano, që importoi mafien shtetërore dhe që pastaj ia la trashëgim nxënësit të tij më të etur, Sali Berishës. Përvoja kryesisht pozitive e Ramës në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, me siguri do të jetë në dobi të vendit. Njerëzit besojnë që qysh në start vetë përbërja e ekipit të tij qeveritar do të jetë një dallim i madh për mirë. Zgjedhësit e mbarë vendit le të urojnë që Rama të japë një shembull fisnik në braktisjen e politikës të spastrimit të njerëzve të punësuar me stilin ikni ju se erdhëm ne dhe që dëbohen me fjalën magjike reformë, aq të lodhur nga stërshqiptimi në tërë këta vite. Le të jepet një shembull i bukur i trashëgimisë së përvojës të këtyre njerëzve edhe pse me gjasa të punësuar me porosi partie. Koalicioni i fuqishëm opozitar duhet mbështetur masivisht në të mirë të gjithëve, bile edhe në të mirë të atyre që vazhdojnë për inerci e marrin Sali Berishën për antikomunist e votojnë verbërisht për të. Pastaj e majta ka edhe ajo shumë njerëz që i patën kthyer kurrizin votimeve dhe këtë radhë edhe ata duhet të nxitojnë drejt kutive.
Ndryshe le të mos ankohen e le të mos mallkojnë veten që lindën në këtë hise të globit tokësor.
Por të gënjyerit më të shumtë dhe dezertorët e panumërt të votimeve kanë qenë ata që e panë PD-në e ditëve të para, si një diell. U mbushën me shpresa se dielli do të ndrinte për pronarët e grabitur dhe do të ngrohte të goditurit politikë të regjimit enverian. Janë ata të mashtruarit e shumtë të Prijësit të Rremë, Sali Berishës. Shumë arsye, që nuk e kanë vendin ti sqarojmë këtu, i mbajnë ata larg votimit në favor të të majtëve, dhe as të majtët ndofta nuk presin prej tyre. Por ju, të zhgënjyer të dashur, mund të shkoni dhe të antivotoni Saliun dhe kupolën e tij! A ju kujtohen vitet premtues 1991 dhe 1992, kur për PD-në tonë votonin qytetet dhe PPSh-së i kishin mbetur fshatrat dhe zonat e thella? Treguesi i degjenerimit berishian sot është i qartë. Ato fshatra e ato zona, tani janë të vetmet që u japin vota klaneve të PD-së, kurse qytetet nuk duan të dëgjojnë më për të. Shkoni drejt kutive dhe ju dhe dënojeni për Mashtrimin e Madh! Vetëm pa votuar mos rrini! Berisha me të vetët lutet e përgjërohet që ju të mungoni edhe këtë herë.
E po, po nuk votuat Po nuk votuat, mos u ankoni dhe mos mallkoni më veten që lindët në këtë vend!
Kryetares së një parlamenti sakat, si ky që u mbyll, më duhet ti marr hua një përcaktim të saj, atë që ajo ka thënë se PD-ja nuk është gjë tjetër veçse Sali Berisha. Është një nga të vërtetat shumë të rralla që ajo zonjë ka nxjerrë nga goja e saj e papërmbajtur.
E pra këtë radhë udhërrëfyesi i saj duhet larguar me votë sa më të dukshme. Nuk jam aspak i rrëmbyer nga mërira, por qetësisht kam dëshirë të hedh dy tri penelata mbi portretin e tij politik.
Sali Berisha është shtetari postdiktatorial që më shumë se kushdo ka hyrë forcërisht në fatet e shtresave, grupeve dhe individëve të kohës së t
