Policia greke: Ilir Kupa ndodhet në Shqipëri, po e ndihmojnë të arratiset
Greqi- Policia greke ka dyshime të forta se shqiptari i arratisur ngas burgu i Trikalas në shtetin fqinj, Ilir Kupa është kthyer dhe ndodhet në territorin shqiptar.
Kështu kanë konfirmuar autoritetet greke ndërsa ato shqiptare nuk kanë të dhëna për kalimin e tij në territorin e vendit tonë. Sipas policisë greke, dyshohet se në territorin shqiptar kanë hyrë edhe dy të arratisur të tjerë.
Shtetasi Ilir Kupa nuk ka asnjë çështje të hapur në Shqipëri, por është shpallur në kërkim nga Interpoli.
Një javë më parë, policia greke ka identifikuar në një shtëpi në Kerasohori të Greqisë, 500 metra larg kufirit me Shqipërinë shenjat e gishtërinjve të Ilir Kupës. Sipas të dhënave, pasi ka thyer derën e shtëpisë ai ka ndezur furnelën me gaz për të gatuar ndonjë ushqim, ka pirë ujë, ka hapur disa konserva, ka përdorur një ngjitës ndoshta për të dyfishuar krëhërin e fishekëve dhe është larguar sërish.
Një zyrtar i policisë ka thënë për median greke: Ilir Kupa nuk mund të ketë mbërritur vetëm në Kerasohori. Është e pamundur për ti bërë këto lëvizje vetëm”. Sipas tyre, barinjtë shqiptarë që punojnë ligjërisht në zonë, po e ndihmojnë Ilir Kupën të zhvendoset pa u diktuar.
Mbrëmjen e 22 marsit nga burgu i Trikalas u arratisën 11 shqiptarë, pasi plagosën dy roje burgu. Tre prej tyre u kapën që atë natë, ndërsa për 8 të tjerët vazhdon ndjekja.