Policia intensifikon kontrollet në Tiranë, në fokus automjetet luksoze. Sekuestrohen armë të ftohta dhe drogë, 6 të shoqëruar

Lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli e metalikë janë sekuestruar pas kontrolleve të imtësishme të zhvilluara në kryeqytet, ndërsa 6 persona janë shoqëruar.
Aksioni u përqendrua tek automjetet luksoze dhe të blinduara, ku u kontrolluan 61 mjete dhe u verifikuan 82 shtetas me precedentë penalë.
Pesë automjete, mes tyre një i blinduar, u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë, ndërsa dhjetëra mjeteve iu hoqën xhamat e errësuar tej normave të lejuara, përfshirë edhe xhamin e përparmë.
Nga operacioni u sekuestruan armë të ftohta dhe sasi droge, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në Tiranë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Kontrolle intensive në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë.
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara, përfshirë edhe xhamin e përparmë, si dhe të mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Sekuestrohen armë të ftohta dhe lëndë narkotike.
Në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Si rezultat i kontrolleve:
* janë kontrolluar dhe verifikuar 61 automjete luksoze;
* janë verifikuar 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme;
* 11 automjeteve luksoze iu janë hequr xhamat e errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor;
* janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, një pjesë e tyre në xhamin e përparmë, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor;
* janë shoqëruar 5 automjete në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për verifikime të mëtejshme, njëri prej tyre mjet i blinduar;
* janë shoqëruar 6 shtetas, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli, shkopinj metalikë, si dhe është konstatuar një drejtues automjeti në gjendje të dehur.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
/rtsh.al/