SHBA paralajmëron sulme ndaj Iranit, kërcënimi vjen teksa forcohet prania ushtarake amerikane në rajon

Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin sulme të reja ushtarake ndaj Iranit që këtë fundjavë, ndërsa administrata amerikane po përgatitet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.
Sipas CNN, zyrtarë amerikanë konfirmojnë se planet janë gati, megjithëse objektivat dhe përmasat e operacionit mund të ndryshojnë deri në momentin e fundit.
Presidenti Donald Trump deklaroi se përpjekjet diplomatike nuk kanë dhënë rezultat dhe paralajmëroi se SHBA-ja është e gatshme të godasë me forcë Iranin. “Do t’i godasim shumë fuqishëm. Në një moment ata do të thonë: ‘Thjesht nuk mund të durojmë më'”, u shpreh Trump gjatë mbledhjes së kabinetit.
Dy avionët e parë ushtarakë amerikanë kanë mbërritur tashmë në bazën ajrore Bezmer në Bullgari për të mbështetur operacionet në Lindjen e Mesme. Autoritetet bullgare theksuan se vendosja e avionëve nuk ndryshon qëndrimin e Sofjes ndaj Iranit, edhe pse baza do të përdoret nga forcat amerikane deri në fillim të muajit tetor.
Sipas burimeve amerikane, Pentagoni ka përgatitur disa skenarë, që përfshijnë bombardime ndaj bazave raketore dhe objekteve bërthamore iraniane, ndërsa po shqyrtohen edhe sulme ndaj infrastrukturës energjetike.
Megjithatë, Uashingtoni po vepron me kujdes nga frika e një kundërpërgjigjeje iraniane që mund të godasë objektet energjetike në Gjirin Persik dhe të tronditë tregjet botërore. Izraeli vazhdon të kërkojë goditjen e sektorit energjetik të Iranit, por ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, pranoi se SHBA-ja nuk e mbështet aktualisht këtë skenar.
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/