E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kërkon akses në kamerat e ARRSH për monitorimin e trafikut, parandalim të ngjarjeve kriminale dhe shkeljeve rrugore

Kamerat dhe radarët në akset rrugore të vendit pritet t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit, në kuadër të një bashkëpunimi me ARRSH për rritjen e sigurisë publike dhe monitorimit të trafikut.

Gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, Drejtori I Policisë Skënder Hita  dhe drejtori i ARRSH Ami Kozeli diskutuan bashkëpunimin për përdorimin e pamjeve filmike me qëllim  evidentimin e shkeljeve rrugore, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin e tyre.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, theksoi se përdorimi i mjeteve bashkëkohore logjistike dhe i teknologjisë inteligjente, duke minimizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të punonjësve të Policisë me përdoruesit e rrugës, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por edhe në forcimin e imazhit të vendit dhe të Policisë së Shtetit.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, vlerësoi bashkëpunimin institucional me Policinë e Shtetit, duke nënvizuar se koordinimi ndërmjet institucioneve do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në akset rrugore dhe në përmirësimin e standardeve të monitorimit të trafikut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›