Policia meksikane nën akuzë për sulm ndaj zyrtarëve amerikanë

Tre personat në fjalë mbetën të plagosur në muajin gusht, kur policët federalë hapën zjarr ndaj makinës së tyre diplomatike në afërsi të qytetit Tres Marias, duke e lënë makinën me 150 vrima plumbash.
Fillimisht autoritetet meksikane deklaruan se kishte qenë një ngatërrim personi, por prokurorët thonë se makina mund të ketë qenë shënjestër e një sulmi të organizuar.
Zyra e prokurorit të përgjithshëm deklaroi se oficerët e përfshirë në këtë ngjarje tentuan të merrnin jetën e dy punonjësve të ambasadës amerikane dhe marinsit meksikan.
Sipas hetuesve, tre personat në fjalë mbijetuan vetëm për faktin se automjeti me të cilin po udhëtonin ishte i blinduar.
Ata thonë se policët ishin veshur me rroba civile dhe po drejtonin automjete private në momentin e të shtënave, fakte që sugjerojnë se bëhej fjalë për një sulm të planifikuar dhe jo një reagim të rastit.
Sipas prokurorëve, oficerët më pas ndërruan rrobat, duke veshur uniformën, dhe përdorën makina policie për t’u kthyer në komisariat.