Policia parandalon ngjarjen kriminale në Vlorë, Balla: Qytetarët presin më shumë prej nesh

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përshëndetur aksionin e policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, ku dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse.
“Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar kështu ngjarje të rënda kriminale dhe terrori, për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse“, shkruan Balla përmes një postimi në Facebook.
Gjithashtu Ministri Balla ka vlerësuar angazhimin e strukturave të policisë së Vlorës, në parandalimin, zbulimin dhe neutralizimin e akteve kriminale dhe për kapjen e autorëve të tyre.
“Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar”, shprehet Ministri i Brendshëm në statusin e tij përgëzues për policinë e Vlorës.
Balla thekson gjithashtu se “qytetarët presin më shumë prej nesh”, duke nënkuptuar angazhimin e të gjitha strukturave të tjera në luftën kundër fenomeneve të krimit në vend.
Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse.
/rtsh.al/