Policia po kërkon nënën e foshnjës së gjetur në mbeturina

Trishtimin që ka parë më sy, thotë se shtirë do ta harrojë ndonjëherë. Pamja e trupit të një bebeje të porsalindur në mesin e mbeturinave, të cilën e gjeti të hënën, nuk i shqitet nga mendja. Burri rreth të tridhjetave që rrëmon përditë në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, ku zbrazen mbetjet urbane të këtij qyteti dhe Skenderajt e Vushtrrisë, nuk preferon t’i përmendet emri në gazetë.
“Prej të hënës kur e kam parë atë foshnjë, nuk po mund as të fle”, thotë ai për Tribunën. Policia thotë se ka marrë rezultatet nga obduksioni i kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe janë duke hetuar rastin që ata e cilësojnë si shumë të veçantë.
Kurse zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në komunën e Mitrovicës thonë se vitet e fundit nuk kanë pasur raste të braktisjes së foshnjave as në mënyrë ligjore. Ndërsa raste të ngjashme me këtë të kësaj foshnje, thonë se nuk kanë pasur asnjëherë. /Indeksonline/