Policia, procedim penal gjashtë protestuesve dhe deputetit Balliu

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se menjëherë pas përfundimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka proceduar penalisht shtatë shtetas.
Gjatë tubimit, sipas policisë, disa persona hodhën lëndë djegëse (molotov), lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta dhe për pasojë u lënduan 3 punonjës policie.
Nga të proceduarit penalisht 6 janë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe një shtetas (deputet) për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Mediet njoftuan se bëhet fjalë për deputetin e PD, Klevis Balliu.
Policia njoftoi se gjatë veprimeve, sekuestroi 1 molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizuan dje pasdite protestën e radhës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit hodhën kokteje me molotovë si dhe fishekzjarre në drejtim të policisë.
/r.e/