E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Mbyllja e negociatave në 2027-ën objektiv i përbashkët me BE, mundësi zgjatjeje deri në 2028-ën

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria dhe Bashkimi Europian ndajnë një objektiv të përbashkët për përmbylljen e procesit të negociatave brenda vitit 2027.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, nën logon “Open Space”, në kuadër të Javës së Europës, ku theksoi rëndësinë historike dhe politike të projektit europian për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Rama nënvizoi se viti 2027 mbetet një objektiv i dakordësuar mes palëve, ndërsa 2030 është përcaktuar si një afat më i gjerë, që lidhet me fazën e ratifikimeve nga shtetet anëtare të BE-së.

“Ndërkohë që, për sa i përket çështjes së 2027-ës, dua ta përsëris që 2027-a është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë dhe një hapësirë që gjëja për një arsye apo një tjetër mund të ketë një zgjatje deri nga mesi i 2028-ës. Kështu që, jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale dhe për këtë arsye 2030-a është vendosur si një objektiv madhor, sepse pas negociatave është procesi i ratifikimeve dhe miratimit nga shtetet, kështu që ai kërkon një kohë, por 2027-a është e bëshme dhe është aty e vendosur bashkërisht”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se për çështjet e reformave zgjedhore dhe administrative, proceset po zhvillohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Rama nënvizoi se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe konsensus në proceset reformuese, ndërsa theksoi se imponimet dhe ultimatumet nuk janë pjesë e qasjes së saj në tryezat e diskutimit.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›