E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rrethon Kryeministrinë, tensione me protestuesit ndërsa Ursula Von der Leyen takon Ramën

Policia ka

rrethuar zonën përpara Kryeministrisë, ndërsa qytetarët vijojnë protestën kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur në godinën e qeverisë zhvillohet takimi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Vizita e saj dhe protesta ishin paralajmëruar më herët. 

Gazetari Osman Stafa tha për News24 se protesta po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa policia ka vendosur kordonë për të mbajtur protestuesit larg Kryeministrisë, duke bërë që ata të pozicionohen në pika të ndryshme të zonës.

Protestuesit janë vendosur edhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa policia ka bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe ka shtuar praninë e efektivëve.

Gjatë protestës janë shënuar edhe momente tensioni, pasi efektivë të policisë kanë tentuar të shtyjnë protestuesit dhe t’i largojnë nga bulevardi dhe perimetri i sigurisë.

Protestuesit kanë vijuar me thirrjet “Arrestoni Ramën”, ndërsa në përplasjet verbale me efektivët janë dëgjuar edhe thirrjet “Polici e Gysit”, “Polici e krimit” dhe “Turp”.

Në pamje janë parë efektivët duke krijuar kordon dhe duke larguar protestuesit nga zona pranë Kryeministrisë, ndërsa qytetarët kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe kanë vijuar protestën.

Situata është zhvilluar në prag dhe gjatë mbërritjes së Ursula von der Leyen në Kryeministri, ku ajo u prit nga Edi Rama. 

Pas takimit, Rama dhe von der Leyen pritet të zhvillojnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.a.b

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›