Policia rrethon redaksinë e gazetës "Tema"
Forcat e policisë kanë rrethuar godinën e gazetës "Tema", duke mos lejuar hyrjen e gazetarëve. Qeveria pretendon se kjo godinë është e një rëndësie të veçantë dhe do të shërbejë si vendi ku do të bëhen kartat e identitetit. Vendimi i qeverisë për largimin e redaksisë së gazetës së botuesit, Mero Baze, është hedhur poshtë nga gjykata e faktit. Por qeveria nuk e ka marrë parasysh vendimin duke dërguar dje forcat e policisë për të rrethuar godinën dhe për të penguar punën e gazetarëve. Baze tha se veprime të tilla nuk janë gjë tjetër veçse tentativa të qeverisë për të mbyllur një gazetë që denoncon hapur aferat korruptive të qeverisë. Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe ambasada Amerikane në Tiranë, e cila ka deklaruar se ky veprim është i jashtëligjshëm përderisa ekziston një proces i rregullt ligjor në lidhje më këtë çështje.