E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia u rikthehet armëve për të kapur të kërkuarin

Një i arratisur nga burgu i Gjermanisë është arrestuar dje në Tiranë, pas një operacioni të forcave speciale, të cilët kanë përdorur armët për të tretën herë brenda pak ditësh. Kostandin Fezo kërkohej nga policia për trafik të lëndëve narkotike dhe në vitin 2001 ishte arratisur nga një burg në Gjermani. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kanë ndërmarrë një operacion blic mbi kapjen e Kostandin Fetah Fezos, 34 vjeç, me banim në Tiranë. "Kapja e këtij personi u realizua falë posedimit të informacioneve të sakta mbi vendndodhjen e tij, ku u realizua edhe ndërhyrja e forcave të policisë, në rrugën ‘Komuna e Parisit‘ pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë", deklaroi policia e Tiranës. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg në mungesë, sepse akuzohet për konsumim të veprës penale të "Prodhim dhe shitje të narkotikëve". "Fillimisht, gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë, personi i sipërcituar ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu, duke i kundërshtuar ata me dhunë e forcë, si dhe duke tentuar të largohet me automjetin e tij, tip "Mercedes Benz" me targë TR0241I. Strukturat policore, me qëllim parandalimin e largimit të personit në kërkim, gjatë ndërhyrjes policore kanë qëlluar me armë në drejtim të automjetit të tij, sepse Konstandin Fezo ka rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve, të cilët ishin pjesëmarrës në këtë operacion, ku fatmirësisht nuk ka asnjë të dëmtuar", reagoi policia në lidhje me këtë operacion. Megjithatë, është hera e tretë brenda pak ditëve, ku policia përdor armët për të arrestuar persona të kërkuar. Sipas policisë, përdorimi i armëve të zjarrit nga forcat policore pjesëmarrëse në këtë operacion është mbështetur në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit. Pas verifikimeve dhe kryerjes së veprimeve procedurale rezultoi se Konstandin Fezo, përgjatë viteve 1996 deri në vitin 2000, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, në Gjermani, si dhe në disa shtete të tjera të Evropës, ka trafikuar lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Ndërkohë, në lidhje me këtë aktivitet kriminal, autoritetet gjyqësore gjermane kanë vendosur për këtë shtetas masën e sigurisë "arrest në burg". Pas një periudhe të qëndrimit në vendin e vuajtjes së dënimit në Oldenburg të Gjermanisë, ky person është arratisur nga burgu më datë 7 prill 2001. Që në atë kohë fshihej në Tiranë, deri dje që u prangos nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›