Nuk shkoi dot në festë, vret veten adoleshentja
Një vajzë 15-vjeçare nga një fshat i rrethit të Korçës i ka dhënë fund jetës me vetëhelmim, pasi familja nuk e lejoi të merrte pjesë në një mbrëmje festive. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Pojan, ku 15-vjeçarja me inicialet D.G. ka vdekur si pasojë e përdorimit të një preparati helmues që përdoret për dezinfektimin e pemëve. Burime të policisë thanë se vajza ka mbërritur e vdekur në spitalin e Korçës rreth orës 20:30 të mbrëmjes. Mjekët konstatuan se ajo kishte pirë një preparat kimik që përdoret në pemëtari. Pas këtij sinjalizimi, policia ka hetuar rastin e vdekjes së 15-vjeçares, e cila si motiv të vetëhelmimit ka pasur gjendjen e rënduar emocionale. Nga verifikimet e policisë ka dalë se mbrëmjen kur 15-vjeçarja vendosi t‘i japë fund jetës në fshat ishte organizuar një mbrëmje festive nga të rinjtë e shkollës së mesme. Në këtë festë të moshatarëve të saj ka dashur të marrë pjesë edhe 15-vjeçarja D.G., por familja e saj nuk e ka lejuar dhe adoleshentja ka kryer aktin e vetëflijimit me helmim. Burimet zyrtare të policisë thanë se pista kryesore e hetimit lidhet pikërisht me këtë mbrëmje festive, por grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje po punon edhe për pista të tjera. Nga ana e familjarëve të vajzës së mitur është deklaruar se shkak i vetëhelmimit ka qenë një gjendje emocionale e momentit, të cilët ata nuk e kanë kuptuar, por sipas policisë sjellja e familjarëve ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes psikike të vajzës, duke e çuar atë deri në vetëvrasje.