Poliklinikat, infermierët revoltohen për masën e shpërblimit
Sipas infermierëve, puna e tyre është nënvleftësuar. Nuk u shpërblyem me një rrogë mujore, sa mjekët
Nënvleftësim për punën e bërë gjatë një viti, në shërbim të pacientëve. Kështu e kanë quajtur infermierët e poliklinikave masën e shpërblimit me rastin e festave të fundvitit prej 10 mijë lekësh, dhënë nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas infermierëve dhe stafit tjetër shëndetësor, ndarja e shpërblimeve nuk ka qenë e ndershme pasi mjekët janë shpërblyer me një rrogë mujore ndërsa ata me më pak se 50 për qind të rrogës. "Mendojmë se i gjithë personeli shëndetësor i poliklinikave duhej të shpërblehej me një rrogë mujore dhe të mos kishte diferencime, por këtë nuk e vendosim ne",- pohon drejtori i Poliklinikës Nr.7, Gjelosh Nikollaj. Ndërsa burime zyrtare të ISKSH-së pohojnë se për shpërblimet e infermierëve është vendosur në buxhet që në fillim të vitit për të marrë shpërblim njësoj sa administrata, pra vetëm10 mijë lekë.
Pakënaqësitë
Shuma e shpërblimit prej 10 mijë lekësh për infermierët, sanitaret dhe shoferët e poliklinikave jo vetëm që nuk i ka gëzuar, por më tepër e kanë cilësuar si ofendim ndaj punës që kanë bërë. Megjithëse punojnë në të njëjtat institucione, infermierët shprehen të zhgënjyer që janë diferencuar në shpërblim nga kolegët e tyre mjekë. Madje edhe vetë drejtuesit e poliklinikave nuk e quajnë të arsyeshme këtë diferencim në shpërblim që është bërë mes mjekëve dhe infermierëve. "Sigurisht që janë shfaqur pakënaqësi nga infermierët dhe stafi tjetër i personelit për shumën prej 10 mijë lekësh, por masa e shpërblimit është në dorë të ISKSH-së e jo në dorën e drejtuesve të qendrave shëndetësore",- pohon shefi i Poliklinikës Nr.7, Gjelosh Nikollaj duke shtuar se u ishte premtuar nga ISKSH-ja se shpërblimi për gjithë personelin e sistemit parësor do të ishte 1 rrogë mujore. Ndërsa infermierët pohojnë se, ndaj këtij shpërblimi jo vetëm që nuk janë të kënaqur por janë ndier të nënvleftësuar për punë e tyre. "Edhe ne punojmë gjatë gjithë vitit si kolegët tanë mjekë dhe nuk arrijmë të kuptojmë se përse bëhen këto diferencime në shpërblim",- pohon njëra nga infermieret. Sipas saj, me 10 mijë lekë shpërblim nuk mund t'i gëzojnë familjet e tyre për asgjë, pasi çmimet janë rritur dhe nuk mund të blejnë asgjë. Ndërsa burime zyrtare pranë ISKSH-së shpjeguan se mjekët janë shpërblyer me një rrogë mesare mujore edhe për shkak të performancës së tyre në punë. "Është vendosur që në fillim të vitit, në buxhet, se masa e shpërblimit për infermieret dhe stafin tjetër të jetë me 10 mijë lekë njësoj sa administrata",- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së.
Abuzimet, këtë vit u larguan 18 mijë familje nga NE-ja
Gjatë vitit 2007 janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike rreth 18 mijë familje abuzuese. Ky ka qenë bilanci i inspektimeve të Shërbimit Social Shtetëror dhe Organet e Njësive të Qeverisjes Vendore. Sipas burimeve zyrtare të SHSSH-së në periudhën janar- nëntor 2007, Shërbimi Social Shtetëror ka ushtruar 465 inspektime, përmes të cilave ka larguar nga skema e ndihmës ekonomike rreth 10. 000 familje abuzuese, me një efekt financiar 19.500.000 lekë, si dhe janë konstatuar rreth 1320 raste me pagesa të padrejta të personave me aftësi të kufizuar, me një efekt financiar 16.800.000 lekë. "Për të gjitha rastet flagrante të shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore, janë propozuar masa për personat përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në total, për të gjitha rastet e konstatuara janë propozuar 14 largime nga puna, 42 gjoba, 122 vërejtje, si dhe është lënë detyrë kthimi i përfitimeve të padrejta për shumën 14.400.000 lekë",- pohojnë burime pranë SHSSH-së.