E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja mes universiteteve dhe MASH-it, bllokon Part-Time

MASH deklaron se universitetet nuk kanë sjellë programin. Universitetet: I kemi dërguar që në nëntor
Kandidatët të cilët synojnë të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme, tashmë duhet të ishin duke u përgatitur për provimet e sezonit të janarit, ndërkohë që institucioni arsimor ende nuk ka udhëzuar universitetet kuotat e pranimit për fakultetet. Ish rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj shprehet se part-time është e pamundur që të realizohet vit, pasi nuk janë caktuar kuotat, procedurat e seleksionimit dhe aq më tepër fillimin e mësimit, i cili tashmë po futet në fazën e provimeve. Në këtë mënyrë, kuota për part-time këtë vit vështirë se do të caktohen. Ndërkohë Ministria e Arsimit ua ka hedhur fajin universiteteve për bllokimin e part-time pasi, sipas tyre, nuk kanë paraqitur as kuotat dhe as programet për këtë sistem.
Mosmarrëveshjet
Ish-drejtuesi i UT-së, Rrokaj, thotë se Ministria e Arsimit është dashur t'i miratojë në nëntor kuotat për sistemin e part-time në shkollat e larta në vend, por ata kanë zvarritur me qëllim procesin, duke iu dërguar fakulteteve një shkresë të pakuptimtë. Kjo kërkesë e para dy muajve e titullarëve të universiteteve, sipas Rrokajt, ka rënë në vesh të shurdhët. Ndërkohë që ish-dekanët tregojnë se propozimet e tyre kanë kohë që janë depozituar në dikasterin e Ministrisë së Arsimit. Ndërsa burime zyrtare pranë MASH bëjnë të ditur se propozimet e fakulteteve bien poshtë pasi sipas ligjit të ri për Arsimin e Lartë, fakultetet janë të detyruara t'i kthejnë përgjigje shkresës së MASH. Në fakt, ky dikaster ka lëshuar udhëzimin e ri pak ditë para se rektorët dhe dekanët të japin dorëheqjen nga postet e tyre drejtuese, për shkak të fillimit të zgjedhjeve për krerët e fakulteteve. Dhe nga ajo kohë kur dekanët "e vjetër" janë zëvendësuar me të përkohshmit, asnjë përgjigje nuk ka arritur në dikasterin e Ministrisë së Arsimit. Por ish-rektorit i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj në lidhje me këtë shkresë thotë, se: "Kurrikula e Sistemit të Bolonjës e thotë qartë dhe ne i jemi përmbajtur Bolonjës, si për part-time ashtu edhe për Masterat. Fakultetet nuk kanë pasur nevojë për udhëzime dhe shkresa të reja nga MASH".
Vonesat
Dikasteri i Arsimit ka pohuar se është dashur t'i caktojë kuotat prej kohësh, duke mos u ngatërruar me kurrikulat, sepse çdo gjë ka qenë në rregull. Ndërkohë Rrokaj pohon se ky është një sistem që nis që në nëntor, e, si i tillë, tashmë duhet të ishte harruar. "Ministria e Arsimit, duhet të kishte dërguar me kohë udhëzimin e saj lidhur me kuotat, tarifat dhe përcaktimin kohor të nisjes së regjistrimit dhe mësimit",- tha për "Shekullin" ish-rektori i UT-së. "Ne i kemi dorëzuar propozimet tona në kohë. Pas kësaj, e kemi rikujtuar disa herë",- thotë ai, ndërsa shton se tani është vonë për fillimin e sistemit, i cili duhet të niste në muajin nëntor. Kështu studentët, të cilët kanë pritur të ndjekin studimet e larta me sistemin part-time, tani kanë një arsye më shumë për të qenë të irrituar. Ende nuk po bëhet asgjë për t'i dhënë atyre një datë të saktë se kur do të mund të ulen në auditorë dhe, për më shumë, duket se këtë vit akademik nuk do të ketë gjasa që një gjë e tillë të ndodhë. Ndërkohë që shumë nga bashkëmoshatarët e tyre, (ata të rregulltit) kanë filluar të shqetësohen për provimet e sezonit të parë, ata mund të qëndrojnë vetëm në pritje dhe të shohin lojën pa shije të "hidh e prit" mes Ministrisë së Arsimit dhe fakulteteve. Të dyja nuk vonojnë të heqin fajin nga vetja: e para shprehet se nuk ka ardhur përgjigja e shkresave nga fakultetet dhe e dyta pret kuotat. Një lojë kjo që ka përfshirë në këtë pikë shumë fusha të arsimit të lartë, por në këtë rast bëhet e hidhur sepse vihet në diskutim arsimimi i brezit të ri.
Box
Rrokaj: MASH lë pezull Part-Time dhe Masterin
"Është vonë. Udhëzimi për sistemin Part-Time dhe Master ka ardhur me vonesë dhe jo pa qëllim. Ky është tashmë një sistem i ligjshëm në shkollat tona të larta dhe nuk mund të lihet në dëshira individuale, të kujtdo qofshin, për të vendosur lidhur me të",- tha kandidati për dekan në Fakultetin Histori Filologji, Shazai Rrokaj. Sipas tij, në muajin dhjetor studentët e korrespondencës duhet ishin në kulmin e mësimit, ndërkohë që këtë vit, ky sistem po përballet me pengesa të kësaj natyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›