Polis versus Ethos
Shoqëria njerëzore është "an-archaic" thotë një filozof me origjinë hebreje, që i mbijetoi anti-semitizmit dhe që pati besim tek njerëzorja edhe pas tmerreve të Holokaustit. Archea vjen nga Greqishtja e do të thotë "origjinë".
Njeriu është esencialisht për tjetrin përpara çdo origjine të socio-politikës prej idesë së kontratës sociale.
Një tjetër filozof, Aristoteli, thoshte se njeriu përpara së gjithash është kafshë politike. Ai realizohet rreth Polisit, thoshte filozofi i antikitetit.
Njeriu që nuk merret me politikë është një "ideotes", një i pa interesuar, një qenie dytësore, thuhej në Greqinë e lashtë.
Nëpër edicionet informative të stacioneve tona televizive shohim shpesh të njëjtat tematika:
Ka shumë vetëvrasje në Shqipëri, si të ishim duke jetuar në epokën e depresionit të madh të pas Luftës së Dytë Botërore.
Ka shumë ndotje ekologjike në Shqipëri, ajo kalon të gjitha normat e lejuara nën standardet e EU.
Ka shumë fëmijë të mbetur jetimë dhe pa përkujdesje në zonat periferike, aq më tepër në rastet ekstreme, kur njëri nga prindërit ka vrarë tjetrin, dhe të mendosh se jetojmë në shekullin e XXI, thonë lajmet.
Ka shumë persona, ndër ta edhe fëmijë që janë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, ata nuk shkojnë në shkolla, kanë vite që s'marrin ajër, thua se jemi në Mesjetë.
Ka shumë persona që nuk kujdesen për mjedisin e përbashkët përpara banesave, ndërtesat e reja dëmtohen shpejtë, ashensorët konsumohen.
Ka shumë plehra nëpër rrugët e metropolit, na kanosen sëmundje.
Ka shumë të vdekur prej aksidenteve rrugore në rrugët tona, më tepër sesa në një gjendje lufte.
Edicionet informative janë aq të ngarkuara me negativitet, vrasje, gjak, dhe përsëri gjak, pastaj zhurmë dhe zënka, saqë të vjen të propozosh si kolonë zanore: "La situazione (della mia situazione) non è buona" të të madhit Adriano Çelentano.
Lajmet nuk duhen dëgjuar mbi të gjitha në prani të fëmijëve, përndryshe u krijohet bindja se Shqipëria është makth!
Televizionet tona propozojnë pak zgjidhje, por edhe kur propozojnë të tilla, argumenti kryesor është: Shteti nuk funksionon! Shteti duhet të bëjë më shumë, shumë më shumë e përherë e më shumë! Shteti duhet të angazhohet në zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve, shteti duhet të vendos nga një polic në çdo cep rruge për të ulur numrin e vdekjeve në rrugë, shteti duhet të vendosi taksë pas takse për të detyruar njerëzit të mirëmbajnë banesat, ashensorët etj., shteti duhet të jetë pranë jetimëve e t'i ndihmojë në varfërinë e tyre. Politika duhet të jetë gju më gju më popullin, që shteti i nesërm të jetë kudo për të zgjidhur gjithçka. Por ç'e do!
Këtu tek ne nuk ka shtet.
"Shteti" është kryefjala dhe kallëzuesi, edhe pjesëzat lidhëse të fjalive tona. Ndërkohë që ligjërata të tilla çojnë në dy alternativa ekstreme: shteti është fajtor pra nuk duhet të jetë fare, ose shteti është i vetmi që zgjidh gjithçka e duhet të jetë ngado.
Laissez-faire ose Paternalizëm.
Anarki apo diktaturë?
Po sikur demokraci ?
Demokracitë funksionojnë kur ekstremet lidhen përmes hallkave zbutëse të tensionit.
Shteti nuk është vetëm politikë, ai është edhe ekonomi, dhe si i tillë funksionon si legjitim nëse është efikas. Demokracitë kanë një shtet efikas kur një sërë prej atyre që kërkohen nga shteti i delegohen hapësirës joqeveritare.
Hapësira publike është edhe civile, pra jo shtetare.
Duke qenë edhe civile ajo ka në qendër të saj individin si qytetar, si një qenie an-archiaic, që është për tjetrin përpara se shteti të jetë për të.
Nuk ka nevojë që shteti të shkojë tek individi në hall, duke përdorur të tëra burokracitë që janë esenciale për natyrën e tij. Burokracitë janë mjetet e vetme që shteti ka në dispozicion, por ato janë të pamjaftueshme, sepse sado të përsosura të jenë ato, nuk mund të përfshijnë çdo qenie njerëzore me specifikat e saj në polity.
Prandaj, individët e tjerë, të ngjashëm me të, janë aty më pranë hallexhiut. Fqinji mund të shohë lotët që tjetri derdh fshehurazi, thotë Levinas. Me fjalë të tjera, shteti lë, duhet të lërë, hapësirë të konsiderueshme për veprimtaritë e shoqatave jo-qeveritare që duhet të jenë aty gati për të vepruar. Ato kanë të tëra mundësitë për të thithur fondet në dispozicion për ta bërë këtë.
Nuk ka pse të ketë një polic në çdo cep rruge, mjafton që kryeplaku i komunës së Kasharit p.sh., në kushtet e decentralizimit të pushtetit, të iniciojë mbledhjen e fondeve për të vendosur matësat elektronikë të shpejtësisë, dhe kamerat vëzhguese. Nuk ka nevojë që taksat të rëndojnë xhepin tonë për të na detyruar të mirëmbajmë ashensorin, mjafton që pronarët e banesave të caktojnë një concierge, një përgjegjës pallati, që do të merret më menaxhimin e ndërtesës, do të mbledhë fonde nga banorët dhe do të ndërtojnë një mini-kënd lojërash, do të organizojë një festë të rrugës ku jetojnë, dhe do të krijojë ca kushte minimale që fëmijët e pallatit të mos hanë fara gjithë ditën.
Tjetri është gati-gati më i rëndësishëm sesa vetja ime, sepse tjetri më mëson se kush jam unë vetë, pa të s'do ta dija fare as emrin tim. Tjetri dhe unë jemi për njëri-tjetrin përpara dhe jashtë kontratës sociale.
Njeriu është qenie etike, realizohet përpara njeriut tjetër që ka përballë, tha Levinasi.
Fytyra e njeriut që qëndron përpara meje hap përballë qenies sime gjithë kuptimësinë e njerëzores, hap përpara meje domosdoshmërinë për t'u përgjigjur përshëndetjes së tij. Individualiteti im shpaloset përmes mënyrës se si i përgjigjem tjetrit.
Nuk ka asnjë politikë, që ta zëvendësojë përgjegjësinë etike që kam për t'ju përgjigjur tjetrit që më rri përballë apo në krahë.
Politika pa etikën, ka rrezik të dështojë.