E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët, shans për identitet të ri

PAVARËSIA E KOSOVËS
Pavarësia e Kosovës, që pritet të ndodhë së shpejti, nuk është shans dhe plotësim aspirate e në kufijtë e ngushtë të plotësimit të dëshirës historike të popullit të saj për pavarësi. Me siguri që ajo ka për të qenë një moment i rëndësishëm i rikonceptimit të identitetit kombëtar edhe për politikën dhe popullin serb. Në një farë kuptimi, pavarësia e Kosovës, do të ndikojë në rikonceptimin modern të shtetit, politikës dhe shoqërisë serbe. Pavarësia e Kosovës është padyshim shansi i fundit, që i ndihmon serbët të krijojnë identitetin e vërtetë territorial, politik dhe kulturor. Që në vitin 1995, filozofi dhe politologu francez Jean Budillard, duke analizuar ngjarjet në Jugosllavi, theksonte se ajo që po ndodh në ish-Jugosllavi është fazë e zhvillimit të mëtejshëm të Rendit të Ri Europian". Përballë këtij realiteti të ri, vetëm paragjykimet nacionaliste, megalomanitë perandorake, janë ato që pengojnë drejtues të veçantë të politikës serbe, që të kuptojnë këtë të vërtetë që historia po e ofron më shumë si shans për ta. Serbia pas largimit të Kosovës nga "perandoria e vjetër", nga suzereniteti antihistorik serb, ka shansin e krijimit të një identiteti të ri kombëtar.
Ndërkaq, nuk mund të mohohet edhe një rëndësi me përmasa më të mëdha sesa fatet e këtyre dy popujve. Pavarësia e Kosovës është me vlerë kontinentale. Në një farë mënyre, ajo mbyll përfundimisht procesin e shpërbërjes së plotë të tre federatave të vjetra të komunizmit në Europë, si Bashkimi Sovjetik, Ccekosllovakia dhe më në fund edhe ish-Jugosllavia. Kjo mund të shërbejë si sinjal që Serbia, duke jetuar në Europën moderne ka më shumë mundësi të shërojë veten nga nacionalizmi, i cili nuk është patriotizëm, sicc trumbetojnë ithtarët e politikës etnike të fantaksur, por e kundërta e saj, është neto shovinizëm. Nacionalizmi, ndjenjat perandorake nuk janë ndjenja të popujve modernë, por janë tregues të sigurt të primitivitetit dhe të ecjes në kundërsens me rrymën e zhvillimit të historisë, në epokën e lirisë dhe mondializimit. Këtë do ta kuptojnë edhe serbët. Pavarësia e Kosovës me sa duket do të jetë "terapia" e vërtetë e kapërcimit të etheve të fundit të nacionalizmit dhe e ri-ekuilibrimit kombëtar të shtetit dhe shoqërisë serbe.
Nuk është në nderin e Serbisë moderne, të besojë verbërisht se largimi i Kosovës, cenon unitetin kombëtar të Serbisë. Në të vërtetë pa qenë fare nacionalist, mendoj se e kundërta është e vërtetë, në favor të krijimit të një identiteti të ri, modern. Largimi përfundimisht i Kosovës nga suaza e vjetër perandorake është shans për të dy popujt, për Kosovën, e cila më në fund është pranë aspiratës së vet shekullore për liri, identitet dhe pavarësi, por në të njëjtën kohë ajo do të ndihmojë edhe Serbinë, për të krijuar më në fund identitetin e vet kulturor dhe kombëtar, duke shpëtuar përfundimisht veten nga ethet e nacionalizmit perandorak. Jo vetëm kaq por me siguri që kjo ngjarje do të jetë e dobishme edhe për korrigjimin e defektit historik në marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe atij serb, si dy popuj të vjetër e të kulturuar të Ballkanit. Pas pavarësisë së Kosovës do të ndodhin me siguri përmirësime në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, që padrejtësitë historike i detyruan të jetojnë më shumë se një shekull në armiqësi reciproke. Pavarësia e Kosovës ka për të qenë një ogur i mirë për të dy popujt kufitarë, që të kthjellohen e të pranojnë impertivin e historisë moderne, e cila do të thyejë "paradigmën e vjetër" nacionaliste të marrëdhënieve midis tyre. Me siguri që pas pavarësisë së Kosovës, të dy shtetet dhe popujt kanë mundësi të korrigjojnë mentalitetin e vjetër, të ndryshkur nacionalist, sipas të cilit "identiteti kombëtar" i popullit shqiptar dhe serb, është "kalitur" duke urryer egërsisht njëri tjetrin reciprokisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›